Protestat e nxënësve të gjimnazeve në Francë janë përshkallëzuar në përplasje të dhunshme, ndërsa mijëra të rinj kundërshtojnë kushtet në shkollat e mesme, mungesën e mësuesve dhe godinat e amortizuara.
Rreth 340 protesta dhe bllokime u regjistruan këtë të enjte, 1 tetor, para shkollave në të gjithë vendin, ndërsa më shumë se 160 institucione u mbyllën. Edhe studentët universitarë iu bashkuan lëvizjes, duke bllokuar hyrjet në rreth 30 kampuse.
Shërbimet e autobusëve, tramvajit dhe metrosë në Marsejë dhe pjesë të Parisit u pezulluan për shkak të akteve vandaliste dhe sulmeve ndaj shoferëve.
Një zjarrfikës u detyrua të largohej nga automjeti i tij këtë të enjte në Marsejë, teksa u dogj nga protestuesit. Një drejtor shkolle u sulmua gjithashtu, duke u spërkatur me benzinë, ndërsa zjarre pati edhe në shkolla në Nantë.
Protestuesit kërkojnë më shumë mësues, klasa më pak të mbipopulluara dhe kushte më të mira mësimi. Ata kundërshtojnë oraret e gjata, duke argumentuar se qëndrimi në shkollë nga ora 8 e mëngjesit deri në 6 të pasdites është i papranueshëm. Në listën e shqetësimeve janë edhe temperaturat e larta në klasa gjatë valëve të të nxehtit.
Protestat kanë nisur prej disa ditësh, ku vetëm të mërkurën u ndaluan mbi 625 persona dhe 83 policë u plagosën. Që nga nisja e protestave, 119 nxënës dhe punonjës shkollash janë raportuar të plagosur.
Kryeministri Sébastien Lecornu thirri një mbledhje krize me qeverinë, që dënon dhunën dhe kërkon rikthimin në shkolla.
Ndërsa ministri i Arsimit ka bërë të ditur se do të presë nesër sindikatat përfaqësuese të stafit të shkollave, shoqatat prindër-mësues dhe shoqatat e studentëve, për të diskutuar mbi kërkesat që ato kanë. Protesta të ngjashme u përhapën edhe në Belgjikë, jashtë disa shkollave në rajonin e Lièzhit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 