Moska ka akuzuar Londrën për përshkallëzim të konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës, pasi u konfirmua përdorimi i dronëve të prodhuar nga kompani britanike në sulmet ndaj objektivave në territorin rus.

Rusia e ka cilësuar Britaninë e Madhe bashkëpërgjegjëse për sulmet, duke thënë se përfshirja më e thellë e Londrës do të ketë pasoja.

Ndërkohë, Londra, në kundërpërgjigje, ka ritheksuar mbështetjen për Ukrainën. Ministria britanike e Mbrojtjes deklaroi se Londra do të vazhdojë t’i sigurojë Kievit pajisjet e nevojshme për t’u mbrojtur nga agresioni rus.

Ndërkohë, sulmet ruse kanë vazhduar të godasin qytetet dhe fshatrat ukrainase. Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 8 të tjerë u plagosën pas një sulmi me raketë në rajonin e Harkivit, në verilindje të Ukrainës.

Guvernatori rajonal tha se sulmi ndodhi në një zonë rreth 40 kilometra nga kufiri me Rusinë. Bilanci i viktimave mund të rëndohet, ndërsa ekipet e emergjencave vijojnë kërkimet dhe ndërhyrjet në terren.

Sulmet ruse kanë goditur rëndë edhe infrastrukturën energjetike ukrainase. Kompania shtetërore Naftogaz njoftoi se objektet e saj janë sulmuar 13 herë vetëm gjatë javës së fundit, duke e çuar në afro 300 numrin e sulmeve ndaj aseteve të saj që prej fillimit të vitit. Sipas kompanisë, dëmet ndaj pajisjeve dhe kapaciteteve të prodhimit janë serioze.

Autoritetet ukrainase paralajmërojnë se Moska mund të intensifikojë goditjet ndaj sektorit energjetik përpara dimrit, në një përpjekje për të goditur furnizimin me energji, ngrohje dhe ujë për popullsinë civile.

Klan News

/tvklan.al