Përshkallëzohet edhe më tej konflikti në Lindjen e Mesme. Garda Revolucionare iraniane goditi dy anije në Hormuz, ndërsa Shtetet e Bashkuara u kundërpërgjigjën duke bombarduar mbi 140 objektiva në Iran.
Irani dhe SHBA-të shkëmbyen sulme të reja herët këtë të dielë për shkak të asaj që Teherani e quajti përdorim të paautorizuar të ngushticës së Hormuzit nga një anije kontejnerësh.
Përshkallëzimi i fundit i situatës nisi kur trupat e Gardës Revolucionare goditën dy anije që udhëtonin në një rrugë të pamiratuar, përpara se të mbyllnin ngushticën dhe të paralajmëronin se çdo hakmarrje do të përballej me përgjigje të ashpër.
Si pasojë e sulmit, një shtetas indian që ishte në bordin e njërës prej anijeve rezulton i zhdukur, ndërsa 10 persona të tjerë u arritën të shpëtoheshin.
Pak kohë më vonë, Komanda Qendrore amerikane kreu një raund sulmesh kundër Iranit, duke goditur të paktën 140 objektiva.
Objektivat përfshinin vende për raketa dhe dronë, kapacitete detare, depo municionesh, rrjete komunikimi dhe vende mbikëqyrjeje.
Orë më vonë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti njoftuan se mbrojtja e tyre ajrore po përballej me kërcënime me raketa dhe dronë, ndërsa Bahreini fqinj lëshoi sirena për sulme ajrore.
Mëngjesin e kësaj të diele, tre raketa të lëshuara nga Irani goditën edhe Jordaninë, por fatmirësisht pa shkaktuar viktima.
Tensionet e fundit vijnë mes përpjekjeve që po zhvillohen në Oman për të diskutuar fatin e ngushticës.
Një burim i lartë iranian i tha Reuters se Irani, SHBA-të, Katari dhe Pakistani kishin rënë dakord të negocionin në një telefonatë që ndërmjetësit po përpiqeshin ta organizonin të shtunën, por nuk është e qartë nëse përpjekjet ishin të suksesshme.
Sipas Iranit, ngushtica do të mbetet e mbyllur deri në përfundim të ndërhyrjeve amerikane, ndërsa Shtetet e Bashkuara thanë se anijet vazhdojnë të kalojnë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 