Një tërmet me magnitudë 5.5 goditi Perunë qendrore të shtunën në mbrëmje, duke lënë të vdekur të paktën pesë persona dhe duke plagosur rreth 20 të tjerë, sipas gazetës “La Republica” të dielën, shkruajnë mediat e huaja.

Tërmeti goditi pranë qytetit të Chupaca-s, në një thellësi prej 10 kilometrash, njoftoi Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së, ndërsa autoritetet vazhdonin të vlerësonin shkallën e plotë të dëmeve.

Zona më e goditur rëndë ishte distrikti i Chongos Bajo, ku u raportuan edhe viktimat, megjithëse zyrtarët nuk i kishin bërë ende të ditura identitetet e tyre.

Lëkundjet dëmtuan gjithashtu disa monumente historike fetare dhe site të tjera të trashëgimisë, ndërsa në disa distrikte u raportuan ndërprerje të energjisë elektrike.

Ekipet e emergjencës u dërguan në zonat e prekura për të kryer operacione kërkim-shpëtimi dhe për të vlerësuar dëmet.

/tvklan.al