Veliaj: Fillojmë lotin tjetër të shkollave në kryeqytet

Përurohet shkolla e re “Bedri Llagami” në Vaqarr. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, inspektuan përfundimin e punimeve, teksa theksoi se kjo shkollë përveç mësimit të 600 nxënësve do të shërbejë dhe si epiqendër e aktiviteteve komunitare.

“Nuk kemi ndërtuar vetëm ca mure me llaç e tulla apo xhama e dritare, kemi ndërtuar një komunitet. Sot, në terma të metrave katrorë, ne kemi një sipërfaqe trualli 6700 metra katrorë, një gjurmë 1900 metra katrorë, kurse 4400 metra katrorë është kjo shtëpi e madhe që quhet shkolla “Bedri Llagami” dhe një zonë e gjelbër 1600 metra katrorë. Ajo që do të ndodhë këtu, pas këtyre metrave katrorë, ajo do prodhojë frymëzim”, tha Veliaj.

Veliaj tha se puna për ndërtimin e institucioneve të reja arsimore do të vijojë edhe në zonën e “Astirit”, “Saukut” dhe “Ali Demit”.

“Në këtë partneritet 50 me 50, pra gjysmën qeveria dhe gjysmën bashkia, ne do të fillojmë 4 shkolla tek Astiri, në të dyja anët e Lanës; aty ku do të fillojë edhe rehabilitimi i Lanës,. Të njëjtën gjë duam të bëjmë edhe tek zona e Liqenit të Thatë, njëra nga ana e Kopshtit Botanik, tjetra nga Parku Olimpik. Të njëjtën gjë do të bëjmë në Sauk”.

Shkolla e bashkuar “Bedri Llagami” në Vaqarr ofron edhe 5 klasa për parashkollorët, 20 klasa për nivelin 9-vjeçar; bibliotekë, laboratorë, dhomë për shërbim mjekësor si dhe ambiente ndihmëse e sportive.

Tv Klan