Pas fitores së paprecedentë të një dite më parë, lista studentore e Serbisë, një forcë e pazakontë politike, pritet të përballet me një sërë sfidash të rëndësishme sapo të marrë zyrtarisht detyrën.

Sipas një analize të Reuters, Kosova mbetet një nga më të ndërlikuarat. Lista studentore e konsideron atë pjesë integrale të Serbisë dhe synon të mbrojë komunitetin në veri, duke kundërshtuar marrëveshjet e mëparshme me Prishtinën.

Një tjetër sfidë janë marrëdhëniet me BE, ku negociatat e anëtarësimit kanë ngecur, për shkak të reformave të pamjaftueshme. Por pavarësisht reformave, vetëm çështja e Kosovës mund ta pengojë procesin e integrimit.

Qeveria e re duhet gjithashtu të menaxhojë varësinë energjitike nga Rusia dhe sanksionet amerikane ndaj kompanisë serbe të naftës NIS. Lëvizja ka premtuar ndërprerjen e eksporteve të armëve drej zonave të luftës. 

Në planin e brendshëm, studentët synojnë të luftojnë korrupsionin, të bëjnë emërime transparente në institucionet shtetërore dhe të kontrollojnë kontratat publike.

Ndërsa në ekonomi, programi i tyre parashikon uljen e çmimeve të ushqimeve, lehtësimin e barrës fiskale për shtresat me të ardhura të ulëta, strehim të përballueshëm për të rinjtë dhe ilaçe më të lira.

Sa i përket organizimit, Lëvizja nuk ka një kryetar të vetëm. Studentët organizohen përmes plenumeve, ku vendimet merren kolektivisht. Megjithatë, për zgjedhjet ata mbështetën një listë ekspertësh e profesorësh, ku i pari në listë është kardiologu Ilija Srdanoviç.

Brenda Listës Studentore ekzistojnë rryma të ndryshme ideologjike dhe gjeopolitike, duke përfshirë krahun pro-evropian, atë sovranist me anim nga Rusia dhe një qasje pragmatike-teknokrate ndaj SHBA-ve dhe Perëndimit.

/tvklan.al