Pesë shtete të Bashkimit Evropian shpalosën në Vjenë planin e përbashkët për ngritjen në Ruandë të qendrave për emigrantët, sipas modelit të paktit mes Shqipërisë dhe Italisë. Plani u prezantua nga përfaqësuesit e lartë të qeverive të vendeve nismëtare, Greqisë, Gjermanisë, Austrisë, Danimarkës dhe Holandës, me pjesëmarrjen edhe të ministrit të Brendshëm të Ruandës.

“Azilkërkuesit në BE, kërkesat e të cilëve janë refuzuar përfundimisht, në të ardhmen do të transferohen në këto qendra kthimi.”

“Pa largime me detyrim, politika e migracionit nuk mund të funksionojë në mënyrë efektive.”

Megjithatë, kjo skemë ka dallime thelbësore nga marrëveshja Shqipëri-Itali.

Në vendin tonë dërgohen në qendra të mbyllura vetëm azilkërkuesit, kërkesat e të cilëve janë në shqyrtim. Ndryshe nga Shqipëria, në Ruandë emigrantët do të lëvizin lirshëm, do të kenë leje qëndrimi dhe mundësi punësimi, derisa të mundësohet rikthimi në vendet e origjinës.

Programi pilot, i financuar nga pesë vendet nismëtare, pritet të nisë brenda vitit 2027. Nisma është përshëndetur nga Komisioni Evropian, i cili po monitoron procesin për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut.

Tv Klan

/tvklan.al