Kryeministri britanik Keir Starmer po përballet me thirrje të forta për dorëheqje pasi laburistët e drejtuar prej tij pësuan disfatë të rëndë në zgjedhjet e së mërkurës. Goditjen më të madhe e morën në Angli, ku votua për zgjedhjen e anëtarëve të 136 këshillave lokalë, e ku laburistët u rrokullisën në vendin e katërt nga shumica që kishin, duke humbur mbi 280 vende. Nga numërimi i deritanishëm, bindshëm fitues rezultojnë reformistët e nacionalistit Nigel Farage. Megjithatë, Starmer tha se nuk ka ndërmend të largohet.

“Nuk do të largohem; votuesit janë të shqetësuar për ritmin e ndryshimit, por unë do të vazhdoj punën për të transformuar Britaninë”.

Laburistët mund të humbin shumicën qeverisëse edhe në parlamentin e Uellsit, ndërsa reduktim mund të kenë edhe në Skoci. Kjo disfatë vjen vetëm dy vite pas fitores së tij të bujshme në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, ku mori shumicën më të madhe në historinë moderne. Ekspertët theksojnë se autoriteti i tij është dëmtuar rëndë nga krizat ekonomike, skandalet e zyrtarëve të tij, sidomos ajo e ish-ambasadorit në SHBA, Peter Mandelson, që rezultoi në dosjen Epstein, si dhe paaftësia për të menaxhuar koston e jetesës.

Tv Klan

/tvklan.al