Alfred Peza thotë se tubimi i thirrur më datë 2 Mars nga Presidenti Ilir Meta është protestë kundër kreut të PD, Lulzim Basha. Nga studio e “Opinion”, Peza tha se mes aktorëve opozitarë ka një konflikt të brendshëm në lidhje me mënyrën sesi ata po bëjnë opozitën ndaj Kryeministrit Edi Rama.

“Për 2 Marsin unë mendoj që është një protestë kundër Lulzim Bashës në luftën dhe në përpjekjen e aktorëve dhe faktorëve kryesorë opozitarë aktual në Shqipëri për lidershipin e opozitës. Për shkak se ka një konflikt të brendshëm tek aktorët opozitarë në lidhje me mënyrën sesi po ata po e bëjnë opozitën ndaj kryeministrit Edi Rama.

Vitin e kaluar u tentua të bëhej me revolucion. Dihet sesi shkoi dhe si përfundoi. E dyta, mënyra sesi Lulzim Basha ka disa javë që ka filluar të bëjë opozitarizmin dhe profilin e një lideri, i cili i dëgjon dhe takon qytetarët.

Në këtë mënyrë ajo është një provë force për të treguar që udhëheqja e opozitës duhet bërë në mënyrë revolucionare, siç u përmend indirekt këtu, apo duhet bërë në mënyrën që po e bën Lulzim Basha. Ky është një problem i brendshëm i faktorëve të brendshëm opozitarë.

Përsa i përket Presidentit në 2 Mars, unë jam i bindur se nuk do të jetë i prirur të shkelë Kushtetutën, sepse ta mbrosh Kushtetutën nëpërmjet një shkeljeje kushtetuese nuk është logjike dhe nuk është normale”./tvklan.al