Rasti me Sekretarin e Përgjithshëm të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dragi Rashkovski, do të hetohet nga ana e Komisionit për parandalimin e Korrupsionit. Antikorrupsioni është në pritje të dokumenteve nga Kompania e autorizuar për Kontrollin e fluturimeve  M-NAV dhe Qeverisë për pretendimet e kurdisjes së tenderit në dobi të firmës italiane “Leonardo”.

Publikimi i “bombave” ku dëgjohet zëri i Sekretarit të Qeverisë, ngriti shqetësimet për sigurinë e trafikut ajror në Maqedoni. Kohë më parë, Madje nëntë mMinistra dhe anëtarë të kabinetit të Kryeministrit Zaev kanë shtruar pyetje, prej se në një seancë qeveritare u është dorëzuar raporti për incidentin me radarin në Ohër kur ka patur ndërprerje të plotë të sinjalit të radarëve mbi Maqedoni. Incidenti ka ndodhur në shtator të vitit 2018. Mediat në Maqedoni flasin edhe për një incident tjetër të njëjtë në Maj të këtij viti kur në Shkup ka qëndruar Ati i shenjtë, Papa Françesku.

Në një komunikatë për mediat Kompania M-NAV ka njoftuar se incidenti i Shtatorit të vitit 2018 ka ndodhur për shkak mosrespektimit të protokolleve, duke shtuar se situata është tejkaluar për një kohë të shkurtër, kur kontrollorët e fluturimeve dhe personeli teknik që ishin ftuar atë ditë të shtatorit kanë intervenuar konform procedurave.

Nga kjo kompani sigurojnë se qielli mbi Maqedoninë e Veriut është i sigurt. Serioziteti i problemeve për sigurinë në transportin ajror dhe hekurudhor ka detyruar organet e Kuvendit që në vend të Komisioneve, kjo çështje të diskutohet në seancë plenare të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Shqetësimet u ngritën për punën e sistemit të radarëve për kontrollin e fluturimeve si dhe pas fatkeqësisë hekurudhore të trenit transportues në afërsi të Kumanovës kur 11 vagonë dolën nga binarët duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Tv Klan