3 persona të dyshuar si pjesë aktive e grupit, që sipas hetuesve drejtohej nga Gëzim Çela dhe trafikonin lëndë narkotike, u vunë në pranga me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme. Emrat e tyre dolën pas zbërthimit të telefonit të ish-policit Arlind Ismailukaj, i arrestuar në gusht 2023, pas goditjes së një tentative trafiku të kanabisit ndaj këtij grupi në rrugë detare, nga Lugina e Patokut.

Mesazhet në rrjetet sociale WhatsApp dhe Signal treguan implikimin e shtetasve Alket Deda, Ksenofon Bodo dhe Selami Lushkaj, të cilët rezultonin të kishin ndërveprim me Arben Dalipajn, ky i fundit i shpallur në kërkim si pjesë e të njëjtit grup. Ata në bashkëpunim, referuar burimeve, kanë marrë pjesë në të paktën 4 episode të trafikut të drogave të ndryshme drejt Italisë, Greqisë, Kosovës dhe Turqisë.

SPAK finalizoi fazën e parë të hetimeve për këtë dosje në gusht, ku tha se grupi do shkëmbente kanabis me kokainë në det. Në atë kohë u arrestuan edhe dy shtetas ukrainas që do merrnin drogën. Disa muaj më vonë, në pranga ra edhe shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj me dyshimet se kishte favorizuar Gëzim Çelën, ky i fundit u shpallë në kërkim bashkë me dy të tjerë.

Aktualisht Çela ndodhet në qeli, teksa SPAK ka vënë në sekuestro disa pasuri të tij dhe njerëzve të afërt, familje dhe personave që dyshohet se ka bashkëpunuar në trafikun e drogave.

Tv Klan