Partia e Lirisë ka kërkuar sërish transmetimin e drejtpërdrejtë të gjyqit ndaj ish-Presidentit Ilir Meta, duke e cilësuar atë si një çështje me rëndësi publike. Përmes një deklarate për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Tedi Blushi, tha se seancat e hapura për median janë një standard i vendosur 30 vite më parë.

“Përsëris me forcë kërkesën për transmetimin live të të gjitha seancave dhe lejimin e qytetarëve që duan ta ndjekin këtë proces drejtpërdrejt. Transparenca është detyrim, një standard i vendosur nga drejtësia në vitet ’90. Është një e drejtë që duhet të garantohet urgjentisht në frymën e kushtetutës dhe të drejtave të njeriut”.

Edhe në këtë dalje, Blushi akuzoi kryeministrin se qëndron pas burgosjes politike të Ilir Metës.

“Rama kallëzues i rremë, rrëmbyesi, mashtruesi, gardiani dhe gjykatësi i Metës. Proces farsë, kriminal e politik ndaj Metës.”

Deklaratat e Blushit vijnë një ditë pas seancës në GJKKO të ish-presidentit Meta, i cili po gjykohet për tre vepra penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Tv Klan

/tvklan.al