Policia e Tiranës njofton se më datë 18 maj, rreth orës 00:10 minuta në Shkozë është plagosur një efektiv policie. Ky i fundit ka qenë jashtë shërbimit, kur ka ndodhur ngjarja.

30-vjeçari A.K është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 18.05.2026, rreth orës 00:10, në zonën e Shkozës, në rrethana ende të paqarta, është plagosur, dyshohet me armë zjarri, shtetasi A. K., rreth 30 vjeç, punonjës policie jashtë shërbimit.

30-vjeçari është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po vijojnë kontrollet intensive në zonë, me qëllim kapjen e autorit/ëve.

Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e autorit/ëve dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes“, njoftojnë uniformat blu.

Shënjestër i atentatit, fqinji

Gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj raportoi për Klan News se polici ka qënë afër banesës së tij i shoqëruar nga fqinji, një person me masë sigurie “arrest shtëpie” për armëmbajtje pa leje. Dyshohet se objektiv i atentatit ka qënë pikërisht fqinji i efektivit.

Efektivi ishte shoqëruar me objektivin, i cili ndodhet në arrest shtëpie dhe në momentin e ngjarjes kishte thyer vendimin e gjykatës. 

Ndërkohë, efektivi i  plagosur A.K nuk ka njoftuar policinë për thyerjen e masës së sigurisë, që kryente komshiu i tij.

Shpallen në kërkim 2 vëllezër

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim dy persona si të dyshuar për plagosjen e policit A.K.

Ata janë dy vëllezër që dyshohet se kanë pasur një konflikt për një çështje borxhi me fqinjin e efektivit. Në momentin e ngjarjes, polici ka qenë i shoqëruar nga fqinji i tij, i cili kishte thyer masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’.

Mësohet se pak muaj më parë për shkak të këtij konflikti, fqinji i efektivit i ka dhunuar dy vëllezërit dhe në shenjë hakmarrje ata e kanë qëlluar me armë, por plumbat kapën policin.

Gjatë deklarimeve të pakta që efektivi ka thënë, është shprehur se nuk kishte njoftuar se komshiu i tij kishte thyer masën e sigurisë dhe ndodheshin në një rrugicë pranë shtëpisë, pasi me të njihej që në fëmijëri.

/tvklan.al