“45-vjeçari Lorenc Kosta po lëvizte në rrugën pas krahëve të mi kur u qëllua 5 herë me armë zjarri. Autori i plagosjes u identifikua dhe rezulton të jetë punonjës policie”, raporton gazetari i Tv Klan, Merin Maçi.

Këto janë pamjet pak momente pas regjistrimit të plagosjes së 45-vjeçarit, që siç mund ta shihni është i shtrirë në tokë dhe në ndihmë i kanë ardhur dhjetëra qytetarë të rastësishëm.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 në afërsi të rrethrrotullimit të “Komunës së Parisit”. Autori është Erion Goxhara, i cili pas plagosjes u largua me një automjet tip Mitsubishi.

Ndërkohë 45-vjeçari Kosta u dërgua në spital ku mësohet të jetë jashtë rreziku për jetën.

Pas ngjarjes policia tha se Erion Goxhara ka qenë jashtë detyre në momentin kur ka kryer krimin dhe se plagosja dyshohet se ka si zanafillë një konflikt për motive të dobëta.

Ai dyshohet se pasi e ka parë 45-vjeçarin teksa lëvizte në këmbe ka zbritur nga makina dhe e ka qëlluar atë.

Në një deklaratë për mediat, kreu i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj teksa i bëri autorit thirrje publike për t’u dorëzuar, tha se ka komunikuar me të përmes telefonit.

Goxhara aktualisht është pjesë e strukturave të Policisë Kufitare.

Tv Klan