Një efektiv i Forcave të Armatosura është plagosur në shpatull me armën e shërbimit gjatë kryerjes së detyrës në Bazën Ajrore të Kuçovës.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e kësaj të marte, më 3 nëntor, rreth orës 16:46. Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, efektivit me inicialet E.D. iu dha menjëherë ndihma e parë dhe më pas u transportua në Spitalin Rajonal të Beratit.

Mjekët bëjnë me dije se gjendja e tij është e qëndrueshme, parametrat jetësorë janë brenda normës dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Për të marrë trajtim më të specializuar, efektivi është nisur drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë.

Ndërkohë, Policia Ushtarake ka mbërritur në vendngjarje dhe po vijon hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të incidentit.

Ministria e Mbrojtjes deklaron se po ndjek nga afër situatën dhe gjendjen shëndetësore të efektivit, duke i uruar atij shërim sa më të shpejtë.

/tvklan.al