Efektivi i Policisë Erjon Goxhara u tha hetuesve të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore se plagosja e 45-vjeçarit Lorenc Kosta erdhi si pasojë e gjaknxehtësisë, pasi e ka parë atë rastësisht në zonën e Komunës së Parisit.

I pyetur mbi rrethanat e ngjarjes pas vetëdorëzimit, efektivi tregoi se kishte qenë në atë zonë duke drekuar me vajzën e tij.

“Unë kam qenë duke drekuar me vajzën time në zonën e Komunës së Parisit, ku kam parë të kalojë rastësisht Lorenc Kosta. Jemi ngritur nga aty kam dërguar diku tjetër vajzën dhe më pas jam kthyer pasi jam ndjerë i provokuar pasi kaloi dy herë. U riktheva dhe kam qëlluar ndaj tij me armën e shërbimit dhe jam larguar. Nuk kisha si qëllim ta vrisja”.

Pavarësisht rrethanave rastësore mbi të cilat Goxhara ka mbështetur dëshminë e tij, AMP thotë se dëshmitë dhe veprimet e tjera hetimore tregojnë për një ngarje të paramenduar.

Ndërkohë, Lorenc Kosta ende nuk është pyetur për shkak të gjendjes shëndetësore dhe pritet që dëshmia e tij të merret në ditët në vijim.

Dosja në Prokurori është referuar me akuzën e vrasjes me paramendim, mbetur në tentativë. Ngjarja u regjistrua në 19 Gusht rreth orës 14:00.

Tv Klan