Një veprim që mund të varrosë një herë e përgjithmonë idenë e ndërtimit të një shteti palestinez. Izraeli njoftoi planet për të aneksuar Bregun e pushtuar Perëndimor nëse njihet zyrtarisht shtetit i Palestinës.
Ministri izraelit i Financave, politikani i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, miratoi ndërtimin e një vendbanimi që do ta ndajë Jerusalemin Lindor nga Bregu i pushtuar Perëndimor. Ky vendbanim, sipas zyrës së tij, do të varrosë idenë e një shteti palestinez.
Është ende e paqartë nëse kryeministri Benjamin Netanyahu, e mbështet planin, për të cilën palestinezët dhe fuqitë botërore thonë se do ta ndajë përfundimisht Bregun Perëndimor në dy pjesë.
Duke qëndruar në vendin e ngjarjes, Smotrich tha se kryeministri Benjamin Netanyahu dhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, kanë rënë dakord për ringjalljen e skemës së ashtu quajtur E1.
“Kushdo në botë po përpiqet të njohë një shtet palestinez sot do të marrë përgjigjen tonë në terren. Jo me dokumente, as me vendime apo deklarata, por me fakte. Fakte shtëpish, fakte lagjesh”, tha Smotrich.
Palestinezët në mbarë Bregun Perëndimor dhe në Jerusalem e kundërshtuan planin e shpallur të enjten nga ministri Smotrich.
“Palestinezët e dënojnë këtë skemë dhe e konsiderojnë të paligjshme”, tha zëdhënësi i presidentit palestinez, Nabil Abu Rudeineh, duke e konsideruar gjithashtu këtë veprim shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Aktivistja Hagit Ofran, e grupit izraelit “Paqe Tani”, që tha se një projekt vendbanimesh në zonën E1 do të shkatërrojë të ardhmen e Izraelit, jo vetëm mundësinë për të krijuar një shtet palestinez.
Izraeli e kishte ngrirë ndërtimin në atë zonë në vitin 2012 për shkak të kundërshtimeve të Shteteve të Bashkuara, aleatëve europianë dhe fuqive të tjera botërore që e konsiderojnë projektin kërcënim për çdo marrëveshje të ardhshme paqeje me palestinezët.
Popullariteti i Smotrich ka rënë muajt e fundit, pasi sondazhet tregojnë se partia e tij nuk do ta fitojë asnjë vend nëse zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Ky veprim mund ta izolojë më tej Izraelin. Disa prej aleatëve perëndimorë kanë dënuar ofensivën ushtarake në Gaza dhe paralajmëruan njohjen e një shteti palestinez.
Projekti E1 do të lidhë vendbanimin Maale Adumim në Bregun Perëndimor me Jerusalemin. Pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar i konsideron vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor dhe pushtimin ushtarak të rajonit që nga viti 1967 si të paligjshme.
Organizata “Paqe Tani”, që vëzhgon ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor, tha se Ministria izraelite e ka miratuar ndërtimin e 3 mijë e 300 shtëpive.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
