Stafi i Kombëtares ka rreth 2 javë që po punon çdo ditë për të përgatitur ndeshjet e play-off që do të luhen në muajin mars për një vend në Botërorin 2026. Zv/trajneri, Doriva, thotë për TV Klan se po ndjekin me vëmendje lojtarët kuqezi.

“Shkuam pak ditë pranë familjeve dhe prej 2 javësh po punojmë në Shqipëri. Jemi të kënaqur me lojtarët dhe formën e tyre. Çdo javë i ndjekim se si paraqiten me klubet e tyre, për të sjellë këtu më të mirët, për të pasur një skuadër të fortë. Është një moment magjik, le të themi, për ne”.

Studimi i kundërshtarëve, nga Polonia e deri te Suedia dhe Ukraina, është pjesë e punës së përditshme, madje duke parë me vëmendje edhe lojtarët e tyre një për një.

“Ne duhet të vëzhgojmë të gjithë. E dimë kë do të kemi përballë, të parën Poloninë, që është një skuadër shumë e fortë. Një ekip me lojtarë të rëndësishëm, të cilët luajnë me ekipe të mëdha në Europë, si Lewandowski apo Zielinski, të cilët janë ndër kryesorët aty. Por duhet të shikojmë dhe Suedinë dhe Ukrainën, pasi janë skuadra të forta, por edhe ne kemi forcën tonë”.

Sipas Dorivës, Shqipëria ka luajtur shumë ndeshje vendimtare dhe do të jetë gati të zhvillojë edhe ato që do të luhen në mars e që do të transmetohen në TV Klan.

“Kombëtarja është e përgatitur, pasi është përballur me shumë momente vendimtare, që mund të krahasohen me ndeshjet që na presin në mars. Duhet të vazhdojmë me dëshirën për të fituar, që të çojmë Shqipërinë për herë të parë në një Botëror”.

Pjesëmarrja në Kupën e Botës, që do të mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë, do të ishte arritja më e madhe e Kombëtares, ndërsa ndeshjet e këtij turneu do të transmetohen ekskluzivisht në TV Klan.

Tv Klan

/tvklan.al