Të martën u zhvilluan takimet e para të fazës play-off në Champions League, ku nuk munguan surprizat e mëdha. Skuadra qipriote Pafos, e themeluar vetëm 11 vite më parë, triumfoi me rezultatin 2-1 në fushën e serbëve të Crvena Zvezdës, kampionëve të Evropës në vitin 1991.

Ndeshja u zhvillua para 43 mijë tifozëve në Beograd, por Pafos tregoi vendosmëri të jashtëzakonshme, duke shënuar golin e parë që në sekondën e 37-të të ndeshjes.

Golat e tjerë u realizuan nga penalltitë, duke vulosur një fitore të rëndësishme për ekipin qipriot, i cili sezonin e kaluar shënoi paraqitje të mirë në Conference League, duke arritur deri në 1/8 e finales.

Fitore jashtë fushe regjistroi edhe Qarabag, që mposhti 3-1 Ferencvarosin në Budapest. Pas një goli të vendasve në pjesën e parë, Qarabag reagoi fuqishëm në të dytën, duke marrë një avantazh të rëndësishëm në rrugën drejt fazës së grupeve.

Po me rezultatin 3-1, Club Brugge triumfoi në fushën e Rangers në Glasgou, duke shënuar tre gola në 20 minutat e para të ndeshjes. Skocezët arritën të realizonin golin e vetëm në fillim të pjesës së dytë. Në këtë takim, mesfushori shqiptar Nedim Bajrami nuk ishte i grumbulluar.

Klan News

/tvklan.al