Përfaqësuesja e Kosovës luan të gjithë fatet e saj në Ligën e Kombeve. Dardanët sfidojnë Islandën, një kundërshtar për të cilin trajneri Franko Foda ka në dyshim dy futbollistë. Në daljen para mediave, tekniku pranoi se situata e Amir Rrahmani dhe Valon Berishës mbetet për t’u analizuar.
“Atmosfera është e mirë. Islanda është kundërshtare që luan lojë taktike, por ne duhet të luajmë ndaj tyre të përqendruar nga fillimi. E dimë se Islanda ka edhe lojtarë të mirë individualë. Ne duhet t’i zbatojmë detyrat tona. Kemi dy ndeshje për t’i fituar. Të dyja janë të rëndësishme dhe duhet të fitojmë për të kaluar në Divizionin B. Duhet të tregojmë në fushë shpirtin luftarak. Në ndeshjet e kaluara kemi treguar rritje dhe këtë e kemi treguar ndaj Rumanisë. Kemi treguar se mund të jemi dominues. Duhet të luajmë lojë intensive nga minuta e parë”.
Sulmuesi Milot Rashica tregon se skuadra ka pësuar ndryshime të shumta në krahasim nga ajo e së shkuarës, ku Islanda arriti të fitojë. Sfida e parë play-off do të luhet këtë të enjte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa ajo e kthimit të dielën.
Klan News