Mes lagunës së Kune Vainit dhe asaj të Patokut, ndodhet një prej perlave bregdetare në Lezhë. Bëhet fjalë për Talën, një zonë që vite më parë nuk ishte shumë e njohur, por kohët e fundit po tërheq vizitorë të shumtë. Një vijë bregdetare rreth 6 km e gjatë, me hapësira të bollshme ranore.

Zgjidhet për qetësinë, rërën kurative dhe ujin e kristaltë. Nuk vijnë vetëm nga zonat përreth, por edhe nga rajoni, ndërsa vitet e fundit është vënë re zgjerimi i hartës së vizitorëve me të huaj nga shtete të ndryshme. Pushuesit, veç natyrës e kushteve, vlerësojnë edhe çmimet e lira në këtë zonë.

Operatorët turistikë flasin për një sezon turistik të mbarë. Prenotimet kanë nisur që herët dhe, sipas tyre, vijojnë deri në vjeshtë.

Të huajt vijnë nga shtete të ndryshme, ndërsa ka edhe nga ata vizitorë që kthehen sërish në Tale.

Numri i turistëve është në rritje dhe në Tale po shtohen kapacitetet akomoduese. Për shkak të kërkesës, rishtazi janë hapur hotele, bujtina, bare apo restorante, ndërsa bizneset po përpiqen të përmirësojnë shërbimin.

Edhe pushteti lokal e ka në fokus këtë zonë, duke punuar për përmirësimin e kushteve dhe standardeve që u ofrohen vizitorëve.

Zona e Tales është një nga më premtueset sa i përket turizmit në veri të Shqipërisë dhe po kthehet vit pas viti në një prej destinacioneve kryesore në qarkun e Lezhës.

Klan Klan

/tvklan.al