Një plazh në Sardenjë ka ndaluar përdorimin e çadrave të diellit për personat e moshës nga 10 deri në 65 vjeç.

Masa është një nga disa rregulla të reja të vendosura nga autoritetet lokale në plazhin Punta Molentis, në zonën e Villasimius, në bregdetin juglindor të Sardenjës, me qëllim mbrojtjen e mjedisit natyror të paprekur.

Përveç pagesës prej 10 eurosh për të hyrë në plazh, vetëm familjet me fëmijë nën moshën 10 vjeç dhe personat mbi 65 vjeç lejohen të vendosin një çadër dielli, dhe vetëm një për familje.

Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta mes pushuesve, duke nxitur habi dhe ironi në rrjetet sociale, si edhe shqetësime për rrezikun e kancerit të lëkurës apo goditjes nga nxehtësia.

“Për të vendosur një çadër duhet të marr me qira një fëmijë?” shkroi me humor një komentues në Facebook pas publikimit të rregullave nga bashkia e Villasimius. Një tjetër ironizoi: “Që të vij në plazh me çadër, duhet ose të sjell gjyshin, ose të kem një fëmijë deri nesër.”

Disa qytetarë kanë bërë thirrje për bojkotimin e plazhit Punta Molentis, ndërsa të tjerë kanë deklaruar se do të zgjedhin plazhe të tjera ku mund të mbrohen normalisht nga dielli.

Punta Molentis po rihapet pasi kishte qëndruar i mbyllur që nga korriku i vitit të kaluar, pas një zjarri shkatërrues të shkaktuar nga zjarrvënës.

Bashkia e Villasimius deklaroi se zjarri dhe fenomenet e jashtëzakonshme detare e kanë shtyrë të vendosë rregulla më të rrepta për të ruajtur bukurinë natyrore të zonës, e cila ndodhet brenda një territori të mbrojtur.

Sipas rregullores së re, ndalohet gjithashtu vendosja e tendave, gazebove apo strukturave të tjera që krijojnë hije. Këto kufizime do të mbeten në fuqi deri në fund të muajit tetor.

Ndërkohë, në plazhin Jesolo, pranë Venecias, autoritetet kanë reduktuar me 20 mijë numrin e vendeve me shezlongë dhe çadra, për të krijuar më shumë hapësirë mes pushuesve.

Plazhet publike në Itali shpesh mbipopullohen, veçanërisht për shkak të rritjes së kostos së marrjes me qira të shezlongëve dhe çadrave në plazhet private. Sipas të dhënave të fundit të organizatës së konsumatorëve Altroconsumo, çmimi mesatar për dy shezlongë dhe një çadër është rritur me 24% gjatë pesë viteve të fundit dhe me 6% vetëm gjatë vitit të kaluar.

Si pasojë, gjithnjë e më shumë italianë po shmangin plazhet private, ndërsa protestat që kërkojnë më shumë plazhe publike falas janë intensifikuar vitet e fundit.