Ushqyerja jo e shëndetshme, konsumimi i shpeshtë i ushqimeve të pashëndetshme, përdorimi i tepërt i antibiotikëve dhe mungesa e aktivitetit fizik ndikojnë në shëndetin e zorrëve.
Gjatë një diskutimi në emisionin “Shije Shtëpie” në lidhje me përgatitjen e organizmit për dimrin, këtë të martë, më 3 nëntor nutricionistja Albana Daka shpjegoi rëndësinë e shëndetit të zorrëve, rolin e mikrobiotës dhe mënyrat për të shmangur probleme si kapsllëku dhe fryrja e barkut. Ajo theksoi se hidrokolon-terapia mund të ndihmojë në raste të caktuara, por nuk zëvendëson ushqyerjen e shëndetshme.
Sipas Dakës, fast-food-i përmban shumë kalori, sheqer, kripë dhe konservantë, ndërsa ka pak vitamina dhe minerale, duke ndikuar negativisht në tretje. Problem tjetër është përdorimi i antibiotikëve pa këshillën e mjekut, pasi ata mund të dëmtojnë mikrobiotën, pra mikroorganizmat që ndihmojnë në funksionimin e organizmit.
“Antibiotiku, unë i them gjithmonë, është si ai automatik në turmë. Edhe nëse ne kemi një mikrob që ka shkaktuar një problematikë të caktuar në organizëm, ai vret çdo mikrob që gjen. Dhe sidomos zorrën, duke bombarduar zorrën me antibiotikë, herë kur duhet dhe shumicën e rasteve kur nuk duhet, patjetër ne do të kemi një zorrë totalisht të pashëndetshme, me atë popullatë shumë herë më të varfër të mikrobeve që ekzistojnë në zorrë. Ajo që ne i themi sot mikrobiota është një popullatë shumë herë më e madhe se numri ynë i qelizave dhe nëse ajo nuk është në sasinë dhe cilësinë e duhur, ne dëmtojmë edhe sistemin imunitar.”
Daka sqaroi se hidrokolon terapia nuk është një zgjidhje magjike për të kompensuar një stil jetese të pashëndetshëm. Sipas saj, kjo procedurë nuk rekomandohet në moshën pediatrike dhe përdoret vetëm te personat mbi 16 vjeç.
“Por edhe në adultët kur bëjmë hidrokolon terapi, absolutisht nuk pretendojmë që t’i lidhim pas kësaj procedure. Ne pastrojmë zorrën me disa seanca, në varësi të problematikës, prandaj unë thashë që hidrokolon terapia është pjesë e një protokolli me disa ndërhyrje. Së pari, ka sistemimin e regjimit ushqimor. Ka probiotikë për një kohë të gjatë. Në fund të hidrokolon terapisë patjetër ne hedhim edhe probiotikë, sepse së bashku me daljen e materialeve ushqimore mund të dalë edhe një pjesë e vogël e mikrobeve. Por ajo vazhdon me probiotikë që merren nga goja për periudhë të gjatë. Nuk është kjo që s’ka problem, ha çfarë të duash dhe hajde pastroje zorrën një herë në dy javë.”
Mungesa e lëvizjes ndikon edhe në shëndetin e zorrëve. Sipas Dakës, aktiviteti fizik ndihmon tretjen, ndërsa qëndrimi për shumë orë ulur dhe koha e gjatë para ekraneve mund të shkaktojnë fryrje barku dhe kapsllëk. Ajo theksoi se këto probleme po shfaqen gjithnjë e më shumë edhe te fëmijët dhe adoleshentët.
Daka foli edhe për përdorimin e shpeshtë të ilaçeve kundër parazitëve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrit të mikrobiotës në zorrë.
“Unë asnjëherë nuk jam partizane, as te fëmijët, e marrjes së antiparazitarëve. Ka një trend të madh të marrjes së antiparazitarëve. Antiparazitarët kanë një efekt që godasin parazitin, ama efektet anësore janë shumë të mëdha, sidomos në mëlçi. Parazitët në zorrë rriten për shkak të disbalancës me probiotikët. Ne mund të shkojmë t’i vrasim parazitët apo mykun, por në qoftë se probiotikët janë të ulët, këto prapë do të prodhohen me shumicë dhe do të krijojnë problematika. Kështu që unë them gjithmonë që zgjidhja afatgjatë me marrjen e terapive me probiotikë është zgjidhja më e shëndetshme e organizmit.”
/tvklan.al












Botërori 2026 