2 tetor 2026 – Si duhet të mësohen fëmijët të reagojnë përballë konflikteve dhe rasteve të bullizimit?

Kjo pyetje u bë shkak për një debat në studion e emisionit “Shije Shtëpie” në TV Klan, ku terapistja e zhvillimit Fitnese Stafsulaj dhe blogerja Klaudia Kastrati ndanë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si prindërit duhet t’i udhëzojnë fëmijët në situata të tilla.

Klaudia Kastrati u shpreh se është kundër dhunës dhe se ka bërë përpjekje që fëmijët e saj të mos përdorin dhunën si mënyrë reagimi. Ajo tregoi se, veçanërisht përpara se fëmijët të nisnin shkollën, i kishte këshilluar që fillimisht të injoronin një sjellje negative, më pas t’i drejtoheshin mësueses dhe, në rast se situata përsëritej, të vetëmbroheshin.

“Po të goditi, do i kthehesh e ti”, u shpreh blogerja, një deklaratë që solli menjëherë reagimin e terapistes së zhvillimit dhe hapi diskutimin mes dy të ftuarave.

Kastrati shpjegoi më tej mënyrën se si ua kishte përcjellë këtë mesazh fëmijëve të saj dhe si kishte ndryshuar qasja me kalimin nga kopshti në shkollë.

“Kur kanë qenë më të vegjël, që ishin në marrëdhënie kopshti, unë e kam pasur shumë të rëndësishme mënyrën se si sillen me fëmijët e tjerë. Domethënë, të jenë shumë të edukuar, të dinë si të flasin, të dinë si të sillen. Një herë pjesën e goditjeve, të dhunës… unë e kam te vetja, e kam si tmerr që ta kishte fëmija im pjesë të vetes. Dhe këtë gjë jam munduar t’ua fus në tru, asnjëherë nuk duhet të kthehesh. Deri në momentin që kanë hyrë në shkollë!

U thoja fëmijëve të mi, mos guxo ti kthehesh shokut ose i kam pas thënë, herën e parë do thuash stop, kjo gjëja nuk më pëlqen. Herën e dytë do i thuash mësueses, ama herën e tretë, të erdhi, të goditi, do i kthehesh e ti”, u shpreh blogerja.

Qëndrimi i saj u kundërshtua nga terapistja e zhvillimit Fitnese Stafsulaj, e cila argumentoi se dhuna nuk mund të korrigjohet duke përdorur një tjetër akt dhune. Sipas saj, fëmija duhet të mësohet të largohet nga situata dhe të mos i japë bullizuesit reagimin që kërkon.

“Në fakt, në këtë pjesë doja të ndërhyja, sepse nuk mund të mësohet e keqja me të keqen, dhe në qoftë se ai kur kalon te e treta herë. Ai që po bullizon apo po godet fëmijën tënd, pret që ti kthehet dhe në qoftë se fëmija do ta injorojë dhe do të shmanget, do të shkojë të gjejë një viktimë tjetër sepse nuk mori atë që deshi te fëmija yt”, tha ajo.

/tvklan.al