Në Poloni janë gëzuar që goglat e Zyrihut në Play Off-in e Botërorit i vunë përballë Shqipërisë. Mediat polake e konsiderojnë shortin relativisht të lehtë.
“Short ëndrrash për Poloninë. Kjo është e Botërorit”, shkruan gazeta “Sport”. Ndërkohë, “Veslo” raporton se dueli kundër kuqezinjve është një shans për hakmarrje pas fitores së Shqipërisë në eliminatoret e Europianit të kaluar.
Megjithatë, për t’i zbritur entuziazmin me këmbë në tokë, mesfushori veteran i Polonisë, Kamil Grosicki, paralajmëron se sfida nuk do të jetë e lehtë.
“Unë mendoj se nuk është short ëndrrash. Do të përballemi me Shqipërinë, të cilën e njohim nga eliminatoret e kaluara. Ata janë ekip i fortë, por ne do të luajmë në shtëpinë tonë. Humbëm ndeshjen e fundit aty, dhe ishte moment i vështirë për ne. Shqipëria, Ukraina dhe Suedia janë ekipe më të forta sesa ato që kishim në grup”, tha Grosicki.
Polonia është një nga skuadrat me të cilat Shqipëria ka luajtur më shumë në historinë e saj, plot 15 ndeshje. Bilanci është 2 fitore për kuqezinjtë, 3 barazime dhe 10 humbje.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
