Goli që i dha Manchester Cityt fitoren 1-0 ndaj Manchester United është kthyer në qendër të debatit, pasi trupa e gjyqtarëve të Pro Ref ka pranuar se VAR ka gabuar në mënyrën se si e vlerësoi aksionin.
Erling Haaland shënoi golin vendimtar, ndërsa vendimi fillestar në fushë ishte për pozicion jashtë loje.
Pas ndërhyrjes së VAR-it, vendimi u rrëzua dhe goli u akordua i rregullt.
Në aksion ishte Enzo Fernandez, i cili ndodhej në pozicion jashtë loje teksa tentoi të luante me topin përpara se Haaland të realizonte.
Edhe pse Fernandez nuk e preku topin, ai u përpoq të godiste me kokë duke u hedhur dhe, sipas pretendimeve të Manchester United, kjo lëvizje mund të ketë ndikuar te mbrojtësi Lisandro Martinez.
Trupa e gjyqtarëve ka bërë gjithashtu të ditur se ka kontaktuar Manchester United për të pranuar atë që e konsideron si një gabim gjykimi, ndërsa ky moment do t’i nënshtrohet një shqyrtimi të mëtejshëm.
Trajneri i Manchester United, Michael Carrick, e kishte cilësuar më herët si “shqetësues” faktin që goli u la i rregullt.
“Nuk mund ta kuptoj se si po përpiqemi t’i ndihmojmë gjyqtarët duke vendosur kaq shumë shtresa pas tyre, kaq shumë njerëz, kaq shumë trupa, kaq shumë ekrane dhe kaq shumë zyra, për të provuar të dalin në vendimet e duhura dhe nëse kështu interpretohet rregulli, që nuk po ndërhyn në lojë sepse e ke hedhur veten drejt topit shumë pranë portës dhe pothuajse e ke prekur atë, është shqetësuese nëse kështu shihet ndeshja nga ata që po e drejtojnë atë”, tha trajneri i Manchester United, Michael Carrick.
Humbje që rëndon pozitat e Manchester United në kampionat, por mbi të gjitha, rikthen edhe njëherë polemikat rreth sistemit VAR.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
