Teksa Kupa e Botës është gati për ceremoninë hapëse polemikat rreth organizimit të saj në Shtetet e Bashkuara po shtohen.

Nën presidencën e Donald Trump, çdo incident po analizohet me kujdes dhe mjafton një episod i vetëm për të ndezur debatet në rrjetet sociale dhe në mediat ndërkombëtare.

Së fundmi, Irani ka akuzuar autoritetet amerikane për heqjen e biletave të destinuara për tifozët iranianë.

Sipas rregullave të FIFA-s, çdo federatë përfitonte 8% të biletave për çdo ndeshje për t’ua shpërndarë mbështetësve të saj, por federata iraniane pretendon se ky proces është penguar nga autoritetet amerikane.

Ndërkohë, disa video që tregojnë procedurat e pritjes dhe kontrolleve të sigurisë për ekipet kombëtare janë bërë virale në internet.

Kombëtarja e Senegalit iu nënshtrua kontrolleve të imtësishme menjëherë pas zbritjes nga avioni, ku lojtarët u kontrolluan në pistë me detektorë metali nga koka te këmbët.

Një trajtim i ngjashëm iu rezervua edhe Belgjikës. Një fotografi e mesfushorit Kevin De Bruyne, i ulur në një karrige ndërsa këpucët e tij kontrolloheshin me detektor metali, ka qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta.

Situata ishte edhe më e tensionuar për Uzbekistanin e drejtuar nga Fabio Cannavaro. Ekipi u përball me kontrolle të qenve antidrogë në New York, menjëherë pas mbërritjes për një ndeshje miqësore ndaj Holandës, të cilën e humbi me rezultatin 2-1.

Një rast tjetër që tërhoqi vëmendje ishte ai i sulmuesit irakian Aymen Hussein. Futbollisti u mor në pyetje për shtatë orë nga policia në Çikago, përpara se çështja të zgjidhej pa pasoja.

Pas ngjarjes, Hussein shprehu publikisht pakënaqësinë e tij, duke deklaruar: “Pse të organizohet Kupa e Botës nëse jeni kaq armiqësor ndaj lojtarëve të huaj?”

Komentet e tij morën mbështetje të gjerë në rrjetet sociale, ndërsa shumë tifozë dhe analistë vunë në pikëpyetje mënyrën se si po trajtohen ekipet dhe tifozët e huaj.

Klan News

/tvklan.al