Pa pagesë transporti e pa uniforma

Dy punonjës të IEPV Shën Koll ndajnë me emisionin “Stop” shqetësimin për transferimin dhe komandimin në IEPV e Reçit.

Ata thonë se nuk u paguhet transporti, pavarësisht se bëjnë mbi 100 km rrugë në ditë. Veç kësaj punonjësit nuk kanë uniforma, nuk u vlejnë gradat dhe vjetërsia në punë.

“Jemi transferuar, rreth 70 punonjës të policisë në burgun e Reçit, s’kemi pagesë për rrugën, nuk dimë gjë se çfarë do të behët me ne. Nuk kemi as transport, as lekë rruge… shkojnë turni i tretë atje, dhe kthehen me makina të rastit”.

“Ka mungesa me uniformat e policisë… edhe simbolet e policisë së burgjeve, i blejmë me lekë”.

Drejtori i komanduar i burgut të Shën Kollit, Zyhdi Katroshi, thotë se ai nuk ka gjë në dorë as për dietat e për uniformat, pasi çdo zgjidhje duhet të vijë nga Tirana.

Gazetarja:Ka pasur dëmtime godina?

Drejtori:2 godina kanë dalë jashtë përdorimit.

Gazetarja:Me këtë ka ardhur si pasojë edhe zhvendosja e punonjësve, apo jo?

Drejtori:Po tani këtu janë të papunë, s’ke, si e paguan. Kështu që do shërbejnë në këto burgjet e tjera, ku ka mangësira.

Gazetarja:Sa kohë do zgjasë kjo?

Drejtori:S’janë të përcaktuara.

Gazetarja:Më shumë se 6 muaj?

Drejtori:Ata thonë jo…

Gazetarja: Ju keni siguruar ndonjë autobus?

Drejtori:Jo, do ju paguajmë dietat.

Gazetarja:Janë paguar dietat?

Drejtori:Jo akoma, se nuk është çelur fondi, s’janë hap fondet, s’janë hap tenderat.

Gazetarja:Domethënë për momentin po i mbulojnë shpenzimet vetë?

Drejtori:Po!

Gazetarja:Kanë dhënë konkursin edhe kanë fituar, po s’kanë ardhur gradat, jeni në dijeni, çfarë problemi ka?

Drejtori:Jemi në dijeni, po ka procedurën e vet. Ne nuk kemi lidhje fare me gradat, sepse jepen nga komisioni në Tiranë, s’ka lidhje me institucionin.

Gazetarja:Si jeni me uniformat?

Drejtori:Këpuca për shembull mund të jetë 4 vjet, kostumi 2 vjet, ka njëfarë norme.

Gazetarja:Vjet që the, çfarë uniforme kanë marrë?

Drejtori:Komplet uniformën, xhupa, pantallona, xhaketë, këmishë, pantallona stërvitje.

Gazetarja:Mua më rezulton, që nuk kanë marrë!

Drejtori:Tani unë them, që janë furnizuar. Duhet të shkoni në Drejtorinë e Përgjithshme.

Gazetarja:A është në dijeni Drejtoria e Përgjithshme, që mbi 70 punonjës të IEVP Shënkoll, bëjnë mbi 80 km në ditë?

Drejtori:Po drejtoria e përgjithshme urdhëron për komandim, se s’kemi ne për kompetencë. Dakord?

Ndërsa ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, nuk u kursye në kritika edhe për kohën, që ai ka qenë në krye të kësaj ministrie.

Sipas Manjanit është e pafalshme gjendja, ku janë lënë punonjësit e policisë së burgjeve.

“Ankesat e tyre qëndrojë, kanë qëndruar edhe në kohën time, janë punonjës publik, të sigurisë kombëtare dhe nuk ka arsye që të trajtohet si institucion i dorës së fundit apo siç trajtonte Enver Hoxha faturinot. Shteti duhet të marrë masat. Nëse ato i lënë të pa trajtuar, ose të trajtuar keq,  sigurisht që do shkojnë në punë dhe do vjedhin, se çfarë do bëjnë tjetër. Qeveria duhet ta ketë në referencë, nuk e ka pasur as në kohën time e mesa duhet edhe sot nuk e ka. Kur them qeveria kam parasysh ministrinë e Financave, por edhe një fare konkurrence idiote me Ministrinë e Brendshme që mendon se policia e shteti është mbi të gjitha. Duhen barazuar me policinë e shtetit. Transferimi bëhet në marrëveshje me atë që e punëson dhe bëhet sipas disa rregullave, që punonjësi të ketë mundësi të kthehet në shtëpi me kostot e veta dhe jo shtesë. Kjo tregon kulmin e mungesës së seriozitetit. Vërtetë ngrita zërin, por nuk zgjidha problemin, tek e fundit… dhe kjo është një gjë që më takon ta kem në kosto, aq sa më takon”. /tvklan.al