Policia e Vlorës ka zbuluar një “shtëpi bari” në Vlorë këtë të mërkurë. Për pasojë një person është arrestuar dhe një tjetër shpallur në kërkim.
Drejtori i uniformave blu në qytetin bregdetar, Eldion Çela, tha se “shtëpia e barit” u zbulua në lagjen “24 Maji”. Kati i parë i një vile trekatëshe ishte përshtatur në dy ambiente për kultivimin e lëndëve narkotike.
Aty u gjetën 780 bimë kanabis. 482 prej tyre ishin të mbjella në kubikë. Çela bëri me dije se lartësia e bimëve arrinte 90 deri në 110 centimetra.
Gjithashtu u sekuestruan 80 llamba të fuqishme ndriçimi, 8 aspiratorë për ajrosjen e ambientit, 80 transformatorë, medikamente, plehra kimike dhe pajisje të tjera të specializuara për rritjen e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Policia njoftoi se në “shtëpinë e barit” në momentin e ndërhyrjes së policisë u arrestua një 24-vjeçar nga Mirdita. Ai dyshohet se kujdesej për bimët e kultivuara.
Po ashtu, është shpallur në kërkim një 24-vjeçar tjetër nga Fieri, i cili dyshohet se kishte marrë ambientin e qira. Ndërkohë gjatë operacionit, në katin e tretë të banesës, të marrë me qira nga një 35-vjeçar nga Vlora u gjet një sasi kanabisi e për këtë arsye efektivët vunë në pranga poseduesin.
“Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale për të dyja rastet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme ligjore”, njoftoi policia.
Ndërkohë blutë e Vlorës arrestuan edhe një 38-vjeçar falë një operacioni tjetër. Bëhet fjalë për një person me precedentë penalë të theksuar.
Çela tha se në momentin që pa policinë, ai tentoi të largohej dhe iu ka drejtuar një pistoletë që mbante me vete efektivëve. Fatmirësisht ai nuk ka mundur të qëllojë apo të largohet pasi është neutralizuar menjëherë.
“Arma e zjarrit do t’i nënshtrohet ekspertizës balistike për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme”, njoftoi policia.
Në lidhje me këtë ngjarje është proceduar në gjendje të lirë edhe një 33-vjeçar për moskallëzim krimi, pasi lëvizte bashkë me të arrestuarin. Sipas policisë, 38-vjeçari ka qenë i arrestuar dhe i hetuar më parë nga autoritetet e huaja për vepra penale të rënda në fushën e krimeve kundër personit./tvklan.al