5 ditë nga zhdukja e një 34-vjeçari, policia e Tiranës ka dalë në përfundimin se i riu është rrëmbyer.
Me anë të një njoftimi për mediat, policia thotë se Eglant Koçi dyshohet se është rrëmbyer dhe zhdukur nga Armand Shakaj 41-vjeç i shpallur në kërkim dhe Enea Zyferi 25-vjeç i arrestuar.
Koçi është parë për herë të fundit pranë sheshit Wilson duke lëvizur me motor siç shihet në këto pamje. Ndërsa një tjetër foto e siguruar nga grupi hetimor e tregon atë në një servis mjetesh në orën 10:13 të së enjtes para se të merrej peng.
Motomjeti është gjetur nga specialistët e krimeve të rënda në policinë e Tiranës, pranë 5 majit. Blutë kanë gjetur dhe ambientin ku është dërguar 34-vjeçari pasi është marrë peng, ambient nga i cili ka dalë 41-vjeçari Armand Shakaj me automjet, që dyshohet se ka marrë me vete të riun Koçi.
Ky automjet kontrolluar nga policia dhe në brendësi të tij janë konstatuar njolla gjaku që janë dërguar për ekspertizë.
Për të gjetur 34-vjeçarin, policia ka kryer kontrolle në periferi të Tiranës dhe në rrethinat e Elbasanit, por nuk janë gjetur gjurmë të tij.
Enea Zyferi i arrestuar për përkrahje të autorit të krimit, rezulton i punësuar në lokalin e 41-vjeçarit Armand Shakaj.
34-vjeçari Eglant Koçi rezultonte i punësuar në një mobilieri, por policia dyshon se ai ishte i përfshirë në aktivitetin e kriptomonedhave, që është një ndër pistat kryesore mbi të cilat është fokusuar policia.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 