Trump pritet me protesta në Ohio dhe El Paso

Vetëm pak ditë pas masakrës në El Paso, detaje të reja dalin në dritë rreth ngjarjes që la 22 viktima e dhjetëra të plagosur. Nëna e autorit të sulmit në qendrën tregtare, Patrik Krusius, njoftoi policinë  disa javë përpara, pasi ishte e shqetësuar se i biri mbante një automatik. Por siç raporton CNN, përgjigjja e policisë ndaj shqetësimit të së ëmës ishte se të birit 21-vjeçar Patrik, i lejohej me ligj të blinte një armë tillë.

Këto zhvillime rikthejnë vëmendjen te siguria e ulët që ka sjellë në Shtetet e Bashkuara liberalizimi i armëve dhe politikat lehtësuese për tregtinë e armëve të zjarrit të ndjekura nga presidentit Trump. Ky i fundit, pas një sërë masakrash në shkollat amerikane, sugjeroi edhe armatosjen e mësuesve. Presidenti vizitoi të mërkurën vendet ku ndodhën masakrat, El Pason dhe Dejtonin në Ohajo, ku në të njëjtën ditë u vranë 9 persona të tjerë. Trump lavdëroi ekipin mjekësor dhe tha se politika është e bashkuar.

Donald Trump – president i SHBA-ve: Kaluam një ditë të mrekullueshme. Mjekët kanë bërë një punë të pabesueshme, në të dy vendet.

Por presidenti u prit me protesta në të dy vendet. Trump konsiderohet si nxitës i racizmit dhe përgjegjës për liberalizimin e armëve.

Megjithatë, sipas sondazheve të publikuara së fundi nga Nju Jork Time presidenti amerikan e ka rritur mbështetjen e tij popullore. Teksa fushata presidenciale ka filluar, mandati i dytë presidencial për Trumpin, është pranë.

Tv Klan