Policia e Shtetit thotë se është duke u përballur me një përpjekje për të dëmtuar imazhin dhe besimin e publikut te ajo.

Përmes një deklarate për mediat, shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, Albert Nushi, mohoi që Policia u kishte dërguar mesuesve dhe pedagogëve mesazhe intimiduese për pjesëmarrjen në protestë.

“Gjatë ditës së djeshme, disa mësuesve dhe pedagogëve u janë dërguar mesazhe në emër të Policisë së Shtetit, me përmbajtje intimiduese, ku pretendohet se ata janë filmuar nga Policia gjatë pjesëmarrjes në tubim dhe se do të kontaktohen për t’u komunikuar akuza. Sqarojmë se këto mesazhe nuk janë dërguar nga Policia e Shtetit, por nga persona ende të paidentifikuar, me qëllim përhapjen e panikut dhe dëmtimin e besimit të qytetarëve te Policia”, tha Nushi.

Ai mohoi edhe një lajm të publikuar në media online, sipas të cilit në Shqipëri po sillen qytetarë nga jashtë për tu mbajtur në burg.

“Lidhur me pamjet e publikuara nga Rinasi, ku pretendohet se shtetas të huaj sillen në Shqipëri, për t’u mbajtur në burg, sqarojmë se këto pretendime janë të pavërteta. Bëhet fjalë për shtetas që transportohen nga Italia drejt Gjadrit, në qendrën e pritjes për emigrantët e paligjshëm”, tha Nushi.

Drejtuesi i policisë shtoi se kjo fushatë ka për qëllim ndër të tjera të cënoj rendin dhe sigurinë publike.

/tvklan.al