1500 efektivë dhe 150 mjete do të garantojnë rendin dhe sigurinë gjatë muajve të Verës

Rreth 1500 punonjës policie do të garantojnë rendin dhe sigurinë për pushuesit vendas dhe të huaj gjatë sezonit turistik. Për të kryer kontrolle, efektivëve u janë siguruar 150 mjete të ndryshme, si furgone, vetura, motoçikleta, biçikleta dhe mjete lundruese. Grupet e policisë do patrullojnë të ndarë nga 2-3 persona. Shërbimet kryesore janë fokusuar në vijën bregdetare, ku do të kryhen patrullime me biçikleta për të qenë sa më afër me pushuesit në rast të ndonjë nevoje apo problematike të mundshme.

Efektivët që kanë dalë në gatishmëri dhe në terren janë të sektorëve të ndryshëm, si të patrullës së përgjithshme, të krimeve kundër jetës, Policisë rrugore, ndërhyrjes së shpejtë dhe të kufirit e migracionit.

Shtim të kapaciteteve dhe kontrolleve janë parashikuar edhe në zonat malore, ku janë ngritur stacione provizore si në Theth dhe Valbonë.

Forca shtesë janë angazhuar për policinë rrugore, në ndihmë të së cilës pritet që të vijnë edhe 50 efektivë nga Kosova që do shpërndahen në akse të ndryshme. Rruga e Kombit, superstrada Tiranë – Shkodër, dhe e gjithë rruga e vijës bregdetare në jug do të jetë e survejuar me radarë shtesë për parandalimin e shpejtësisë së mjeteve dhe si rrjedhojë dhe të aksidenteve.

Edhe në këtë sezon turistik është parashikuar që fluksi i personave që hyjnë në vend të jetë i lartë, ndaj punonjës të policisë kufitare tashmë janë në gatishmëri. Shërbime shtesë janë bërë edhe në pikat kufitare kryesore të veriut, Morinë, Muriqan dhe Han të Hotit, si dhe në Kapshticë e Kakavijë.

Klan News