Sezoni turistik veror ka risjellë në vëmendje përdorimin e mjeteve të argëtimit kryesisht Jet Ski dhe skafe që lundrojnë në afërsi të zonave të notimit. Për këtë arsye një plan masash është hartuar nga policia e shtetit për të monitoruar këtë aktivitet, i cili përfshin edhe monitorimin me dron.

 “Është krijuar njësia policore detare, janë bërë gjatë kësaj periudhe trajnime të vazhdueshme me strukturat lidhur me rritjen e performancës së tyre, shtimin e kapaciteteve në det apo dhe mbikëqyrjen dhe kontrollin e sigurisë detare. Do të ketë mbikëqyrje me dron në gjithë hapësirë. Për çdo shkelje do të marrim masat dhe do të dokumentojmë shkeljen e bërë nga individë apo subjekte të ndryshme në det”, tha Saimir Boshnjaku, drejtor Policisë Kufitare dhe Migracionit.

Kreu i Policisë Kufitare dhe Migracionit rendit shkeljet më të shumta që janë konstatuar deri më tani, pas kontrollit të 728 mjeteve lundruese.

“Masat më të rënda janë të cenimit të sigurisë që variojnë nga një milionë lekë të vjetra në pesë milionë lekë të vjetra. Mos mbajtja e dokumentacionit në bord, mos mbajtja e pajisjeve të sigurisë. Mos licencimi me licencën e operatorit turistik”, shtoi Saimir Boshnjaku.

Gjatë sezonit turistik veror 2024 janë kontrolluar 6,637 mjete lundruese nga të cilat 345 janë gjetur me shkelje ligjore. Këto mjete janë bllokuar dhe ndëshkuar në vlerën totale të 9,7 milionë lekëve.

Nisur nga rasti i turistit britanik i cili ndërroi jetë pas manovrave me Jet Ski tek shkëmbi i Kavajës, Boshnjaku rëndit disa prej detyrimeve që duhen zbatuar nga  pushuesit dhe bizneset.

“Kriteret janë të mirëpërcaktuara, qoftë për subjektet private, qoftë për institucionet për licencimin për kontrollin e këtyre subjekteve”, përfundoi Saimir Boshnjaku.

 Por përveç kontrolleve një pjesë e punës së policisë kufitare është ndihma ndaj pushuesve në det dhe jo vetëm. Prej 1 majit janë 12 raste të dhënies së ndihmës për 18 personave dhe 11 mjeteve lundruese.

Klan News

/tvklan.al