Një plan masash për mbarëvajtjen e sezonit turistik është hartuar nga Policia e Shtetit. Fokusi është tek siguria në zonat bregdetare, liqenore dhe lumore, por jo vetëm.
Nisur edhe nga aksidentet e fundit në plazhet e vendit, ku janë përfshirë pushues të huaj, njësia detare po kryen kontrolle për të shmangur lundrimet e rrezikshme që mund të sjellin pasoja. Efektivët e policisë me anë të dronëve kontrollojnë perimetrin e sigurisë, si për mjetet lundruese ashtu edhe për pushuesit.
Gjithashtu, ka nisur edhe patrullimi me biçikleta në plazhe, për t’iu ofruar ndihmë pushuesve. Ndryshe nga viti i kaluar, shërbimi 12-orësh i efektivëve do të aplikohet vetëm në zonat bregdetare.
Një tjetër pikë e planit të masave është edhe lehtësimi i qarkullimit në pikat kufitare. Janë shtuar sportele dhe burime njerëzore me qëllim menaxhimin e fluksit turistik.
Veçse do të ketë shtim të patrullave në akset rrugore që lidhin plazhet. Janë shtuar patrullat e Policisë Rrugore për parandalimin e aksidenteve. Çdo ditë do të ketë monitorim me pajisje inteligjente, dronë dhe alkool testues për të shmangur shkeljet rrugore. Nga 16 qershori deri më 15 shtator 2025, do të kufizohet qarkullimi i mjeteve të rënda për transport mallrash në fundjavë dhe në ditët e pushimit zyrtar.
Gjatë gjithë sezonit turistik do të ushtrohen kontrolle për zbatimin e orarit të muzikës dhe ndëshkimin e shkelësve të nivelit të zhurmës. Ndërkohë, nga shërbimet e Policisë po vijon operacioni “Plazh i lirë”, për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të paligjshme.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
