Policia e Shtetit tanimë ka në dorë urdhrin e SPAK për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme Apelit, që e dënoi këtë të mërkurë me 2 vjet heqje lirie ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Hapi i radhës tashmë është ekzekutimi i këtij urdhri, duke arrestuar Llallën, vendndodhja e të cilit nuk dihet.

“Prej orës 14:30 minuta kur u dha vendimi i Apelit, për dënimin e Llallës me 2 vite burg, ne ndodhemi pranë banesës në afërsi të rrugës së Elbasanit. Ndonëse ka vetëm një orë qëkur urdhri i është përcjellë Policisë së Shtetit, ende nuk ka prani të forcave policore që po kryejnë verifikime dhe nga momenti në moment pritet që të bëjnë kontroll tek banesa lidhur me vendndodhjen e tij. Është vendi i parë që do të kërkohet nga ana e policisë, duke qenë se është vendbanues në banesën që ndodhet pas meje. Më pas do të vijojë marrja me pyetje e familjarëve, të cilët ndodhen aktualisht në banesë për vendndodhjen e tij, pasi ka dyshime se ai nuk ndodhet në vendin tonë”, tha gazetari Besar Bajraktari në një lidhje me Milori Live, në Klan News.

Nga burime jo zyrtare, mësohet se Llalla nuk ndodhet në Shqipëri. Avokati i tij tha se Llalla po merrte trajtim spitalor, megjithatë pa specifikuar vendin ku ndodhej.

E teksa pas vendimit të dhënë nga gjykata për ta dënuar ish-kryeprokurorin me burg gazetarët u stacionuan në shtëpinë e tyre, kamera fiksoi edhe momentin kur bashkëshortja e tij mbërriti në shtëpi. Teksa futej brenda, ajo u nxori gishtin e mesit gazetarëve./tvklan.al