Polonia ngriti në fluturim avionët luftarakë gjatë natës, pasi Rusia nisi një sulm masiv me raketa dhe dronë në të gjithë Ukrainën më 8 shtator.

Lajmi u bë i ditur nga Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura të Polonisë.

“Për shkak të aktivitetit të aviacionit strategjik rus, i cili po kryen sulme ndaj territorit ukrainas, avionët ushtarakë kanë nisur operacionet në hapësirën ajrore polake”, njoftoi ushtria polake.

Ushtria polake bëri të ditur se kishte aktivizuar të gjitha forcat e nevojshme dhe kishte vendosur në gatishmëri të lartë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe të zbulimit me radar.

“Këto masa janë parandaluese dhe synojnë garantimin e sigurisë së hapësirës sonë ajrore, veçanërisht në zonat pranë territoreve të kërcënuara”, thuhet në njoftimin e ushtrisë polake.

Ndërkohë, gjatë natës së 8 shtatorit, forcat ruse lëshuan një breshëri dronësh, raketash balistike dhe raketash kruiz ndaj Ukrainës.

Sulmet shkaktuan dëme në pallate, ndërtesa tregtare dhe magazina në pesë zona të Kievit. Të paktën gjashtë persona mbetën të plagosur.

Shpërthime u raportuan edhe në Odesa.


/tvklan.al