Ky është një grumbull i madh prej qindra mijëra peshqish të ngordhur që janë mbledhur në një port turistik në qytetin e Volosit në Greqi.

Autoritetet greke po hetojnë për arsyet e këtij fenomeni, por dyshimet kryesore janë se bëhet fjalë për peshq ujërash të ëmbla të lumenjve e liqeneve, të cilët nga përmbytjet masive të shkaktuara nga stuhia e fuqishme Daniels që goditi edhe Greqinë vitin e kaluar, pasojë e ngrohjes globale, i kanë nxjerrë ata në ujërat e kripur detarë të Gjirit të Volosit. Sipas ekspertëve, peshqit e liqeneve e lumenjve e kanë shumë të vështirë të mbijetojnë në ujëra detarë.

Sasia e peshqve është aq e jashtëzakonshme, sa vetëm gjatë 24-orëve të fundit, ekipet që po punojnë për pastrimin e hapësirave të portit kanë nxjerrë mbi 40 tonë peshq të ngordhur. Zyrtarët lokalë thanë se për shkak të aromës së rëndë të dekompozimit të tyre, numri i turistëve në plazhet e zonës ka rënë me 80% këtë verë, duke u shkaktuar atyre një dëm të madh financiar.

Tv Klan