3 të arrestuar e 6 të gjobitur është rezultati i kontrolleve në portin e Durrësit, gjatë 24 orëve të fundit. Mes të arrestuarve është një grua në kërkim ndërkombëtar, si dhe dy shoferë kamionësh, të cilët kundrejt parave ndihmonin emigrantë të jashtëligjshëm për të kaluar kufirin.

Kështu, në sheshin e eksporteve policia gjeti të fshehur poshtë kamionit dy persona që po tentonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin drejt Italisë. Ata janë Z.GJ., 39 vjeç, i dënuar më parë në Belgjikë për trafikim të lëndëve narkotike, si dhe E.P., 31 vjeç, të dy banues në Lezhë.

“Pas verifikimit të bërë në sistemin TIMS, rezultoi se Z.GJ., ishte i deportuar nga shteti Belg në datën 18.07.2018, pasi kishte vuajtur atje dënimin me 7 muaj burg, për veprën penale “Kultivim kanabisi”. E.P., ishte i deportuar nga shteti holandez në datën 07.05.2017, pasi kishte tentuar të kalonte kufirin shtetëror holandez në mënyrë të paligjshme për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar, duke u fshehur poshtë një kamioni”,

thotë policia në një njoftim për mediat

.

Dy personat në fjalë u ndëshkuan me 20 mijë lekë të reja gjobë secili.

Po gjatë kontrolleve u kap 17-vjeçari Z. C. lindur në Shijak. Ai po kalonte në mënyrë të paligjshme rrethimin e jashtëm me qëllim për të kaluar në tragetin e linjës Durrës-Ancona. 17-vjeçari u gjobit me 20 mijë lekë të reja, për shmangie të verifikimit kufitar.

Njëkohësisht, gjatë kontrollit në sheshin e eksporteve i fshehur poshtë një kamioni u kap 22-vjeçari D. S, lindur në Dibër. Ai qëndronte i fshehur poshtë kamionit midis gomave, me qëllim për të kaluar me traget drejt Italisë. Edhe ky i fundit u gjobit me 20 mijë lekë të reja.

Gjithashtu gjatë kontrollit në vijën e dytë të kamionit me drejtues 39-vjeçarin Erion Rucaj, banues në Tiranë, u gjet i fshehur në kabinën e mjetit, tek krevati i shoferit, 37-vjeçari G. T., lindur në Kosovë. Sipas policisë, 37-vjeçari do të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme me linjën Durrës-Ancona për në Itali, duke paguar shoferin Rucaj me 1 500 euro. Policia e arrestoi Rucajn, ndërsa 37-vjeçari nga Kosova u ndëshkua me gjobë 20 mijë lekë të reja.

Rreth orës 17:58, gjatë kontrollit të mjetit me drejtues 40-vjeçarin Kastriot Gjini, banues në Tiranë, brenda në kamion u gjet i fshehur 23-vjeçari E. N., lindur në Dibër. Ai do të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme duke u ndihmuar nga shoferi kamionit. Kamioni ishte i plumbosur dhe shoferi kishte prerë litarin dhe e kishte futur brenda nga mushamaja e trajlerit.

Nga kontrolli në sistemin TIMS ky shtetas është kthyer deportiv nga Norvegjia me motivin kapur me qëndrim ilegal në tejkalim të afeteve të qëndrimit dhe punësim ilegal. Dënim me afat 2 vjeçar dhënë në Norvegji, dhe për të kaluar në Itali do të paguante 2 500 euro shoferin Kastriot Gjini”,

sqaron policia më tej. Drejtuesi i kamionit Kastriot Gjini u arrestua në flagrancë, ndërsa E.N u ndëshkua me gjobë në masën 20 mijë lekë të reja.

Po gjatë 24 orëve të fundit u kap 41-vjeçarja në kërkim Raida Kollobani, (alias Raida Priska) banuese në Tiranë.

“Pas verifikimeve të kryera rezultoi se kjo shtetase ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore italiane, për arsye se  është dënuar me 10 vjet e 7 muaj e 11 ditë burgim, për veprat penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale/grup kriminal për lëndet narkotike”, të parashikuar nga Kodi Penal Italian. Pjesa e mbetur e dënimit është 3 vjet 11 muaj 9 ditë burgim. Ndalimi i saj u bë me qëllim ekstradimi drejt Italisë” ,

thotë më tej policia e Durrësit në njoftimin për mediat

./tvklan.al