Amar, Helena, Haris dhe Liam mbërritën deri në fund të një rrugëtimi që nisi me ëndrra të mëdha dhe përfundoi nën dritat e një prej skenave më të rëndësishme televizive për fëmijët.
Katër finalistë, me historitë e tyre të ndryshme, erdhën në këtë finale për të dhënë më të mirën e tyre. Në një sallë të mbushur me mbi 300 fëmijë, prindër dhe mësues, ndodhën risi dhe emocione si kurrë më parë në një program televiziv.
Prania e Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott, i dha finales një dimension të veçantë. Pas vlerësimit final të jurisë, ishte pikërisht ambasadori britanik Nicholas Abbott ai që shpalli emrin e fitueses së madhe të “PowerKidz 2026”. Mes ovacionesh dhe emocionesh të papërshkrueshme, kupën autentike të “PowerKidz” e ngriti lart Helena Ramaj, nxënëse në klasën e 4-t të shkollës 9-vjeçare “Misto Mame”.
Por si në çdo finale të madhe, fitorja nuk i përket vetëm një fitueseje. Amar, Haris dhe Liam dëshmuan se talenti, kurioziteti dhe guximi për të sfiduar veten vlejnë po aq sa trofeu.
“PowerKidz” mbylli sot një finale të madhe, një finale që dhuroi spektakël, emocion dhe një mesazh të qartë: kur dijes i jepet skena e duhur, fëmijët shkëlqejnë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
