E dinte paraprakisht përmes burimeve konfidenciale nga njësia ku bënte pjesë se Nicolás Maduro do të rrëzohej nga pushteti.

E shfrytëzoi këtë përparësi për të vënë bast në platformën “Polymarket” dhe fitoi 409 mijë dollarë. Megjithatë, Departamenti Amerikan i Drejtësisë e zbuloi rastin dhe arrestoi efektivin e forcave speciale, Gannon Ken Van Dyke. Tashmë ai po përballet me akuzat për tradhti ndaj besimit dhe përdorim të informacioneve të klasifikuara për përfitime financiare.

Van Dyke ishte pjesë e njësisë ushtarake elitare që kreu operacionin “Absolute Resolve” më 3 janar në Karakas. Hetimet zbuluan se ai nisi të vinte baste që më 26 dhjetor, duke luajtur me shuma parash mbi kohën dhe rezultatin e saktë të kapjes së Maduros.

Për pesë akuzat federale që rëndojnë mbi të, përfshirë mashtrimin me mallrat dhe vjedhjen e informacionit qeveritar, Van Dyke rrezikon një dënim maksimal deri në 20 vite burg.

Ishte vetë platforma e kriptomonedhave që raportoi lëvizjet e dyshimta te autoritetet. Presidenti Donald Trump e cilësoi rastin si të papranueshëm, duke theksuar se operacionet ushtarake nuk mund të kthehen në një “kazino” për lojtarët e basteve.

Tv Klan

/tvklan.al