04 shtator 2026- Ashtu siç e njoftoi kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kanë nisur këtë të premte në qarkun e Korçës takimet me qytetarët, në kuadër të asaj që socialistët e quajnë “Prania Besnike”.
Sipas porosisë së sheshit të ekzekutivit, deputetë socialistë kanë hapur dyert për të dëgjuar nga afër problematikat dhe shqetësimet e banorëve.
Në Pogradec, qytetarët janë pritur nga deputeti Bledi Çomo, ndërsa shqetësimet kryesore kanë qenë pensionet, infrastruktura rrugore dhe çështjet e pronësisë. Disa prej qytetarëve kanë deklaruar se këto problematika i kanë ngritur prej vitesh, por ende nuk kanë gjetur zgjidhje.
Takime janë zhvilluar në Korçë me deputeten Romina Kuko, në Miras me deputetin Genti Lakollari dhe në Qendër Bulgarec me deputetin Ilirian Pendavinji, në Drenovë me deputeten Besa Spaho.
Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Korçës, Niko Peleshi, ka kërkuar që takimet të zhvillohen pa praninë e medias dhe qytetarët të priten individualisht nga deputetët.
Kjo është e premtja e parë e takimeve të platformës “Besa” në Qarkun e Korçës, ndërsa deputetët pritet që çdo javë të zhvendosen në zona të ndryshme të qarkut.
Kryeministri u shpreh dje se “Prania Besnike” nuk është thjesht një takim me qytetarët, por përmes saj synohet zgjidhja e çdo halli apo shqetësimi pa asnjë dallim.
“Prania Besnike vendos që qytetari duhet ta dijë kur dhe ku mundet ta gjejë përfaqësuesin e vet, në të njëjtin vend, me të njëjtën orë, me një kalendar të publikuar përpara. Dhe premtja e kësaj jave, në orën 5, është fillimi i një procesi të pranisë në të gjithë territorin e Republikës, që nuk do të ndalet asnjë të premte dhe nuk do të ndryshojë orë, derisa unë të jem kryetari i PS-së. Kur unë të mos jem, zgjidheni, bëjeni, por sa të jem unë, çdo të premte, në orën 5, do të jemi aty ku e kërkon Prania Besnike. Jo për të bërë mbledhje. Prania Besnike nuk është mbledhje, nuk është takim kur rrinë disa njerëz e ne rrimë para tyre, ata flasin e ne më pas flasim. Prania Besnike është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët, që do të thotë që kushdo të qajë hallin e tij, vjen në atë orë, në atë vend dhe rri e pret kur do të ulet në tryezë përballë përfaqësuesve që do t’i thonë: “E ke gabim.” Thjesht do të shënojnë çfarë robi i Zotit flet. Dhe Prania Besnike nuk pranon kamera. Prania Besnike pranon fotografi në fillim të takimit, vetëm me miratimin e të pranishmëve dhe pa ekspozuar fytyrat e tyre. Prania Besnike refuzon përkatësinë partiake. S’ka rëndësi i kujt partie je, për kë ke votuar. Asnjë problem nëse ke qenë kundër PS-së në fushatë. Nëse ti do veshët tanë, veshët tanë do të jenë aty çdo të premte, në orën 5. Besa për ne është besim, empati, shërbim dhe angazhim. Çdo i pranishëm në këtë sallë, këto duhet t’i bëjë vijë, të sjellë besimin, empatinë, shërbimin dhe angazhimin, ndërsa Prania Besnike nuk është kalendar elektoral, as kalendar organizativ, as kalendar thjesht partie, pjesë e një sistemi që e kthen dëgjimin në kusht dhe kushtin në detyrim. Ne kemi qenë kudo, në takime, në çdo pjesë të hartës, më shumë se askush, por ne kemi munguar në pikën e hallit të qytetarit, sepse nuk matet distanca, por sa të hapur janë veshët kur qytetari flet”, tha Rama.
Përmes këtyre takimeve, mazhoranca synon të mbledhë nga afër shqetësimet e qytetarëve dhe t’i adresojë ato përmes institucioneve përkatëse.
/tvklan.al












Botërori 2026 
