Edi Rama e nisi ditën të mërkurën me disa momente nga prapaskenat e përgatitjes së tij dhe delegacionit shqiptar në Bruksel përpara se të mbahej konferenca e tetë ndërqeveritare me Bashkimin Europian të martën.

Me fjalimin në duar, kryeministri nuk la as batutat me kabinetin, për procedurën që do ndiqej.

“Ça kemi tani, çfarë do bëjmë?”, thotë Rama.

“Të zakonshmen. Presidenca hap mbledhjen, pastaj e merr fjalën Marta Kos dhe thotë fjalët më të mira, për hir të së vërtetës, presidenca e Qipros ka qenë shumë e mirë. I jep fjalën hapëse kryeministrit, fjala mbyllëse është përmbajtësore, fjala hapëse është e bukur”, shprehet Hoxha.

“Ne pranojmë do ta themi tani. Pranon ta marrësh për burrë. Po pranoj. Pranon ta marrësh për grua. Po pranoj”, thotë Rama.

Pjesë e pamjeve të perzgjedhura nga kryeministri ishte edhe takimi me zv.ministren për çështjet europiane te Qipros dhe komisioneren për zgjerimin Marta Kos.

Pas konferencës së tetë nderqeveritare, ku u konfirmua plotësimi i Kushteve të Ndërmjetme në Grupkapitullin “Themeloret”, për Shqipërinë, nis faza e re për mbylljen e kapitujve të parë.

Sipas Ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, ky do të jetë edhe testi më i madh për vendin tonë, ndërsa theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian bazohet në meritë dhe drejtohet nga një mentalitet i vërtetë europian.

Ndërsa objektiv mbetet anëtarësimi deri në 2030 si anëtar me të drejta të plota në familjen europiane.

Klan News

/tvklan.al