Një tjetër rrëfim nga lufta në Kosovë vjen këtë të diel në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Enveri ka ardhur në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan  për të çuar në vend një amanet. Ky amanet ka pas një histori të gjatë që nis në vitin 1998. Enveri ishte vetëm 23 vjeç kur u bë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mori armën në dorë për të mbrojtur atdheun, një ndjesi që e kujton fort mirë.

Enver: Neve na ka munguar shumë liria. Në momentin që mora armën në dorë, mua m’u duk që liria është shumë afër.

Ardit Gjebrea: Po pastaj?

Enver: Më 13 korrik përjetuam bombardimin e parë apo fillimin e një lufte të vërtetë në të cilën ne ishim të përgatitur për ato beteja.

Ardit Gjebrea: Por ndoshta jo deri në fund.

Enver: Jo deri në fund sepse ne luftën vetëm e kemi imagjinuar, por nuk e kemi përjetuar, ndërsa nga 13 korriku e kemi përjetuar.

Ardit Gjebrea: Çfaë ndodhi më 13 korrik?

Enver: Më 13 korrik, forcat serbe kanë vërejtur pozicionet tona. Ne ishim 73 vetë duke bërë ushtrimet si çdo mëngjes dhe forcat serbe gjatë vrojtimit sepse ata kishin teknologjinë e avancuar, eksperiencën e jashtëzakonshme dhe arritën që neve të na granatojnë me murtaja. Në momentin e parë na u duk se nga  koha është duke ardhur ndonjë vetëtimë, bubullimë dhe na u duk si diçka jo e zakontë por që vjen nga natyra. Në momentin që kishim këtë habi, filloi bombardimi dhe pas një periudhe që kemi kaluar, ka patur njerëzit që kanë numëruar që deri në 28 predha kanë rënë në të njëjtën kohë. Në atë moment humbën jetën 2 pjesëtarë të UÇK-së dhe 13 të tjerë u plagosën.

Atë moment Enveri ndieu se do të zhdukeshin e asgjësoheshin, e megjithatë ata ushtarë të rinj ia dolën të përballonin gjithçka mirë. Gjithsesi, nuk munguan humbjet e shokëve që kishte pranë.

Enver: Njëri nga ata e shihja, ishte nja 3 vjet më i ri se unë, e shihja duke bërtitur e duke kërkuar ndihmë.  E ka patur emrin Misin Sopa, bashkëvendas imi. E ka patur shputën e këmbës të hequr nga granatimet. Unë e kam marrë në shpinë dhe e kam dërguar në një vend ku e kemi patur si spital ushtarak, me ato kushte të improvizuara.

Ardit Gjebrea: Ishte afër?

Enver: 3 kilometra.

Ardit Gjebrea: 3 kilometra e ke mbajtur në shpinë. Po pse thua “e ka patur”, nuk jeton më?

Enver: Jo, fatkeqësisht ka ndërruar jetë në vitin 2020.

Enveri shprehet se nga bombardimet pati 2 të vdekur dhe 13 të plagosur./tvklan.al