Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Prefektura e Qarkut të Tiranës, ka analizuar sot punën një vjeçare, duke u bazuar në zbatimin e programit të qeverisë. Prefekti Dedja ka bërë një përmbledhje duke u ndalur në sektorë të ndryshëm, ku përparësi i është dhënë realizimit të investimeve publike. Prefekti Dedja përmendi këtu vonesat e pajustifikuara në kryerjen e procedurave për projektin e përmirësimit të rrugës së Durrësit, për ndriçimin e kryeqytetit, si dhe përfundimin e punimeve në shtat akset rrugore të Tiranës.

Dedja theksoi se dhe puna për gjelbërimin dhe pastrimin e qytetit, ka qenë e pamjaftueshme. Ndërsa përmirësimit të infrastrukturës i është kushtuar vëmendje e veçantë, gjithashtu edhe forcimit të rendit, mbledhjes së armëve etj. Prefekti i Tiranës, duke u ndalur tek urbanistika tepër e rënduar tha, se është domosdoshmëri urgjente hartimi i një plani rregullues për kryeqytetin. Këtë vit një rëndësi të veçantë do të ketë regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë dhe banesave./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego