Ngjarjet kulturore dhe lidhja me vendin e origjinës, janë arsyet që e kthejnë në Shqipëri herë pas herë balerinin e njohur ndërkombëtar, Angjelin Preljocaj. Është i vendosur që Shqipërisë t’i japë gjithçka, dhe këtë tashmë po e bën me Festivalin Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor që këtë vit ka bërë 2 vjeç.

 “Po, po punojmë me Tim Njuman dhe Ajola Xoxa për krijimin e këtij festivali të dancit bashkëkohor në Tiranë. Mendoj se është diçka që di ta bëj dhe mund t’ia dhuroj Shqipërisë, pa asnjë lloj interesi nga ana ime, por ku unë marr pjesë me gjithë qejf. Dhe do të donim ta bënim çdo vit, të ftojmë kompani të mëdha ndërkombëtare, që shqiptarët ta njohin dancin, por edhe artistët e huaj ta njohin Shqipërinë sepse mendoj se është një vend që meriton të njihet. Është një mënyrë për t’u njohur me njëri-tjetrin ndoshta.”

Preljocaj është një ndër koreografët më të njohur në Francë aty ku lindi, por jo gjithçka ka qenë e lehtë për të, qysh kur prindrit nuk donin që ai të bëhej balerin. Pa dorashka rrëfehet në podcastin e kryeministrit Edi Rama.

“Kur shkova herën e parë nuk kisha geta baleti. Kështu që vesha pantallonat e xhudos dhe një bluzë të bardhë, dhe ja kështu e bëra mësimin e parë të baletit. Unë kam mbrojtur gjithmonë idenë që dua të vallëzoj, duhet të vallëzoj, e mbroja këtë ide para babait tim, para mamasë, mamaja ishte pak si e pavendosur, siç e the dhe ti. Dhe për djemtë dhe vajzat e lagjes sime, vallëzimi do të thoshte “ky djali vesh geta dhe bën ca gjëra të çuditshme dhe ata talleshin mua”.” 

Ku familja e tij vendosi të largohej në Francë, Shqipëria u izolua nga pjesa tjetër e botës. Por siç thotë Preljocaj, asnjë moment ata nuk kanë jetuar pa Shqipërinë që ishte e gjallë në familjen e tyre, tek të tjerë që arratiseshin, por edhe në unin e tij që e reflektonte edhe krijmatrinë artistike.

“Mendoj se për një artist është e rëndësishme të lërë t’i shpëtojë diçka, diçka që është e pandërgjegjshme,  që është thellë brenda nesh, por jo e arsyetuar. Mendoj se arti është përzierje mes instinktit dhe inteligjencës.”

Edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor ka filluar që prej datës 23 Shtatori e do të vijojë deri më 22 Tetor në Tiranë, duke i dhënë mundësi studentëve e baletit për të mësuar nga koreografët më të njohur.

Tv Klan

/tvklan.al