Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Pas prezantimit me mjaft sukses në festivalin e filmit në Kanë, si dhe në mjaft festivale ndërkombëtare filmi “Parullat”, filmi i regjisorit Gjergji Xhuvani është cilësuar dje në prezantimin e tij të parë në Tiranë, si një nga filmat më të mirë të kinematografisë shqiptare në këto vitet e fundit. Një tragjikomedi shqiptare, që zhvillohet në një fshat të humbur në fund të viteve 70 është përcjellë tek publiku në sallë, me tronditjen e realitetit të diktaturës komuniste.

Në këtë film, bashkëprodhim shqiptaro-francez, kanë interpretuar një kast aktorësh tepër të njohur, si Artur Gorishti, Luiza Xhuvani, Agim Qirjaqi, Birçe Hasko, Robert Ndrenika, Niko Kanxheri, Fadil Kujovcka, Rita Lati, Festim Çela etj.

Menjëherë pas premierës së filmit është zhvilluar një koktej bisedë, kur kineastë të njohur shqiptarë, regjisorë e aktorë kanë shkëmbyer opinionet e tyre për këtë film. Filmi Parullat, do të vazhdojë të shfaqet për publikun shqiptar edhe për disa ditë në kinema Millenium 2 në Tiranë, e më pas në qytete të tjera të Shqipërisë, ndërsa në datën 30 Tetor, ky film do të shfaqet premier në Francë./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora

/tvklan.al