10 shtator 2026- Presidenti amerikan Donald Trump e mbylli natën e parë të kongresit republikan për zgjedhjet e mesmandatit me një fjalim rreth një orë e 45 minuta, duke u bërë thirrje votuesve që në zgjedhjet e ardhshme të votojnë sikur emri i tij të jetë në fletën e votimit.
Një nga premtimet më të bujshme të mbrëmjes ishte ideja për t’u dhënë 5 mijë dollarë çdo të rrituri amerikan në rast se republikanët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin në zgjedhjet e mesmandatit.
Sipas një vlerësimi të Reuters, një skemë e tillë do të kushtonte rreth 1.35 trilionë dollarë, duke u bazuar në rreth 270 milionë të rritur në SHBA.
Trump e përqendroi një pjesë të madhe të fjalimit te sulmet ndaj kandidatëve demokratë, të cilët i cilësoi vazhdimisht si “komunistë”.
Sipas tij, një fitore demokrate do të rrezikonte politikat e administratës së tij në çështje si emigracioni, taksat dhe siguria.
“Nëse humbasim, do të humbni kufirin, uljet e taksave, sigurinë…”, tha ai.
Fjalimi ishte gjithashtu i mbushur me batuta dhe improvizime. Duke folur për kandidatin republikan për Senatin, Ken Paxton, Trump bëri shaka për mënyrën se si vishet, flet dhe duket, përpara se ta cilësonte atë “prokurorin e përgjithshëm më të madh në historinë e Teksasit”.
Presidenti shkaktoi të qeshura dhe duartrokitje edhe me propozime të improvizuara, si ideja për ta quajtur New Mexico “New America” apo për t’i vënë emrin “Ngushtica e Trump” Ngushticës së Hormuzit.
Trump iu rikthye edhe një prej karakteristikave të tij të njohura gjatë fjalimeve: kalimi nga një temë në tjetrën dhe rikthimi më pas te pika fillestare, atë që ai e quan “the weave”.
Me humor, ai tha se nëse ndonjëherë nuk arrin të rikthehet te pika ku kishte nisur, atëherë publiku do ta kuptojë se “ka ikur”.
Presidenti premtoi se gjatë dy muajve të ardhshëm do të zhvillojë mitingje në 35 shtete dhe zona elektorale në garë të ngushtë, ndërsa në disa prej tyre synon të rikthehet dy ose tre herë për të mbështetur kandidatët republikanë.
Ekonomia dhe kostoja e jetesës
Kostoja e jetesës ishte një tjetër temë qendrore. Trump premtoi t’i bëjë të përhershme uljet e taksave dhe të reformojë sistemin e sigurimeve shëndetësore.
Ai tha gjithashtu se kompanitë e sigurimeve duhet të detyrohen të tregojnë paraprakisht dhe qartë çmimet, në mënyrë që amerikanët të mos përballen me fatura të papritura.
Megjithatë, presidenti mbrojti edhe luftën ndaj Iranit, pavarësisht ndikimit të konfliktit në çmimet e karburanteve dhe ushqimeve.
“Kur vijnë të ankohen se çmimet janë rritur, unë bëj një pyetje të thjeshtë: a mund të ketë Irani armë bërthamore?”, tha Trump, duke argumentuar se përgjigjja negative justifikon veprimet e tij.
Republikanët në kongres pranuan se inflacioni dhe kostoja e jetesës mbeten shqetësime të mëdha për amerikanët, por u përpoqën të paraqesin uljet e taksave dhe performancën e tregjeve financiare si shenja pozitive.
Ata paralajmëruan se një fitore demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve apo Senat do të dëmtonte ekonominë.
Fetterman surprizon me paraqitjen në kongresin republikan
Një nga momentet më të pazakonta të mbrëmjes ishte paraqitja e senatorit demokrat të Pensilvanisë, John Fetterman, i cili doli në skenë për të prezantuar kolegun e tij republikan nga i njëjti shtet, David McCormick.
Fetterman theksoi mundësinë e bashkëpunimit dypartiak, duke sjellë një moment të pazakontë në një event të dominuar nga retorika e ashpër politike.
Ndërkohë, pavarësisht pretendimeve të përsëritura të Trump se arena ishte e mbushur plot dhe se kishte njerëz në radhë jashtë, në sallë u vunë re një numër vendesh bosh.
Trump paraprakisht u bëri thirrje mbështetësve të tij të mos u besojnë raportimeve të asaj që ai i quajti “fake media”.
Në ditën e dytë të kongresit priten të flasin shumë figura të rëndësishme republikane, mes tyre nënpresidenti J.D. Vance dhe sekretari i Shëndetësisë Robert Kennedy. Trump pritet ta mbyllë edhe këtë ditë me një fjalim, por këtë herë me një paraqitje më të shkurtër.
/tvklan.al












Botërori 2026 
