Kryeministri Zoran Zaev vazhdon takimet me partitë shqiptare, me secilën veçmas, për gjetjen e një kandidati konsensual për president, në zgjedhjet që do të mbahen më 21 Prill të këtij viti. Ai është takuar me Afrim Gashin nga Alternativa dhe kreun e PDSH-së Menduh Thaçin.

“Ekziston ambienti për ndërtimin e një koncepti për kandidat të përbashkët, pas të cilit do të qëndrojmë të gjithë. Nëse kemi sukses në këtë proces, shpresoj se edhe partitë e opozitës shqiptare, me të cilët do të takohem ditëve në vijim, do të prononcohen pozitivisht për këtë çështje. Do të ishte e logjikshme që në fillim të javës së ardhshme të fillojmë punën rreth emrave potencial”.

Kryetari i partisë Alternativa, që doli pas ndarjes së Lëvizjen Besa, Afrim Gashi pas takimit me Kryeministrin, Zoran Zaev ka deklaruar se për partinë e tij, i pranueshëm është një kandidat mbipartiak.

Kryeministri Zoran Zaev realizoi takim edhe me PDSH-në e Menduh Thaçit. Sipas Thaçit, kandidati për president duhet të jetë i qeverisë që do të nënkuptonte vazhdimin e politikave të qeverisë aktuale për normalizimin e situatës dhe institucioneve të sistemit. Dje Kryeministri Zaev u takua edhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, kurse janë paralajmëruar takime edhe me liderët e partive opozitare shqiptare.

Tv Klan