Një delegacion i nivelit të lartë nga Moldavia zhvilloi një vizitë në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku u njoh nga afër me infrastrukturën sportive dhe administrative të FSHF-së, si edhe me stadiumin “Air Albania”.

Delegacioni, i kryesuar nga Kryetari i Parlamentit të Moldavisë, Igor Grosu, u prit nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Në përbërje të delegacionit ishin gjithashtu Presidenti i Federatës së Futbollit të Moldavisë, Leonid Oleinicenco, ambasadori Emil Jacota, deputeti Maxim Potirniche, anëtar i Komisionit për Kulturën, Edukimin, Kërkimin, Rininë, Sportin dhe Median, si dhe Sekretari i Shtetit, njëkohësisht Zëvendësministër i Sportit, Cristian Jardan. Në vizitë ishte e pranishme edhe ambasadorja e Shqipërisë në Moldavi, Enkelejda Merkuri.

Gjatë qëndrimit në “Shtëpinë e Futbollit”, të ftuarit vizituan ambientet e kompleksit, duke u njohur me funksionimin dhe infrastrukturën e tij. Ata panë nga afër Klinikën e Kombëtares, ambientet e administratës, Muzeun e FSHF-së dhe studiot e FSHF TV, si pjesë e strukturave që mbështesin aktivitetin e futbollit shqiptar.

Një ndalesë e veçantë ishte edhe stadiumi “Air Albania”, ku delegacioni u njoh nga afër me infrastrukturën, organizimin dhe standardet e impiantit. Pjesëtarët e delegacionit shfaqën interes të veçantë për stadiumin, pasi sipas FSHF, Moldavia synon të zhvillojë një projekt të ngjashëm të infrastrukturës sportive në vendin e tyre.

Vizita shërbeu si një mundësi për të ndarë eksperienca dhe për të prezantuar modelin e zhvillimit të infrastrukturës së futbollit në Shqipëri, përmes investimeve dhe projekteve të realizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit.